Shqipëria

Shmangia e “grisë” së burgjeve përmes zyrës së intervistimit për të miturit në Shqipëri


Tashmë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, ekziston zyra e intervistimit për të miturit.

Kjo, e para në Shqipëri.

Zyra është e konceptuar në dy ambiente.

Në njërin qëndron i mituri bashkë me oficerin e policisë gjyqësore që zhvillojnë procesin e marrjes në pyetje nga psikologu.

Nga ana tjetër, zyra e dytë është ajo e komandimit. Në të janë pajisjet audio dhe video që mundësojnë në kohë reale filmimin dhe regjistrimin audio. Kështu, i lejon personat e tjerë të interesuar (prokurorë, prindërit, avokatët etj) të shohin dhe kuptojnë çfarë po ndodh në zyrën e pyetjes.

Me anë të komunikimit të brendshëm, zyra e komandimit mund të udhëzojë oficerin të bëjë pyetje specifike me anë të mikrofonit dhe kufjeve, pa u dëgjuar nga i mituri.

Psikolog, Altin Nika

Ky është shpjegimi i ambientit i bërë nga psikologu Altin Nika për Abanian Post duke treguar edhe efektin që krijon.

Sipas tij, janë disa elemente pozitive, ku një prej tyre është arredimi i cili për Nikën shmang ambientin gri të policisë.

“Regjistrimi me audio e video i deklarimit i heq mundësinë e ripyetjes disa herë të të miturit nga persona të ndryshme. Për shembull kur çështja të shkojë në Prokurori ose Gjykatë deklarimi i tij me audio e video ripërdoret për të mos ri-viktimizuar apo traumatizuar të miturin, nga pyetjet e ndryshme për të njëjtën çështje”.

Ndërsa, për sa i përket ndikimit psikologjik psikologu thotë se lehtësimi i procesit të pyetjes dhe suporti psikologjik janë pikat e forta të zyrës.

“I mituri është i mitur, pavarësisht konfliktit që ai/ajo ka me ligjin. Kujtojmë që në këtë zyrë punojnë persona (punonjës policie, psikologë, prokurorë, avokatë) që kanë marrë trajnim të veçantë për drejtësinë e të miturve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore