Shqipëria

Shkollë, edukimi seksual duhet të jetë përtej biologjisë dhe riprodhimit!


Është turp.

Është turp të flasësh për marrëdhëniet seksuale, turp të përmendësh organet gjenitale, turp të mësosh për riprodhimin.

Afërmendsh, ka qenë dhe mbetet turp.

Kujtoj klasën time të biologjisë, ku arsimtarja nguronte të shpjegonte temat në kapitullin e riprodhimit. E anashkalonte kaherë me ndonjë temë tjetër.

Ato faqe nuk hapeshin, mbeteshin të paprekura e të palexuara, nëse vetë nxënësi nuk e kishte kureshtjen për të mësuar prej tyre.

Mbaj mend fytyrën e mrrudhur të saj që kishte turp të na mësonte për temën e ditës – dhe të jetës – që nuk na e mësoi kurrë.

Më vijnë ndërmend edhe nënqeshjet e bashkëmoshatarëve, të cilët shihnin aty-këtu ilustrimet në librin e biologjisë në ato kapituj edukues.

Por ajo nuk ka qenë e vetmja. Shumë të tjerë kanë vepruar po njësoj, pa e ditur boshllëkun që do të krijonin në breza dhe po ashtu dëmin që do të pasonte.

Edhe për vite më vonë, ka vazhduar e njëjta moskokëçarje, për më tepër me vetëdijen që ai është informacioni më bazik dhe njëherazi më i nevojshëm.

“Një nga zyshat e biologjisë nuk i shpjegonte ato tema, nuk i bënte”, më tregoi një vajzë disa vite më e vogël.

Për psikologen Destemona Çelo, seksualiteti është pjesë integrale e jetës njerëzore.

Ajo tregon për “Albanian Post” se fëmijët dhe të rinjtë kanë të drejtë të marrin informacion të besueshëm, të bazuar në shkencë dhe gjithëpërfshirës për të.

“Nevojitet ofrimi i një edukimi seksual në mënyrë që të jete përtej biologjisë dhe riprodhimit dhe t’i pajisë me të vërtetë fëmijët me njohuri për trupin e tyre dhe të drejtat e tyre”, sugjeron ajo.

Gjithashtu t’i informojë ata për barazinë gjinore, orientimin seksual, identitetin gjinor dhe marrëdhëniet e shëndetshme.

Edukimi seksual në shkolla është edhe më i nevojshëm në kohët tona, sipas saj.

Sepse fëmijët, në shumicën e rasteve, mund të marrin informacione të deformuara nëpërmjet internetit dhe mediave sociale.

“Teksa këto mund të jenë burime të dobishme dhe të përshtatshme informacioni, mund të përcjellin një imazh të shtrembëruar të seksualitetit dhe mungesë informacioni mbi aspektet emocionale dhe të lidhura me të drejtat e seksualitetit”, dallon ajo.

Çelo mbron tezën se përmes faqeve të internetit ose mediave sociale, fëmijët mund të kenë akses edhe në informacione të pasakta, për shembull në lidhje me kontracepsionin.

Ndërkaq, thekson se edukimi seksual në shkolla vjen si një plotësues dhe jo një zëvendësim i asaj që mund të ndajnë prindërit në shtëpi.

“Prindërit janë aktorët kryesorë që duhet të përdorin diskutimet mbi seksualitetin gjatë diskutimeve me fëmijët”, thotë ajo.

Por ndodh “shpesh” që prindërit të mos ndihen gati për të realizuar një diskutim me fëmijën dhe seksualitetin e tij, duke krijuar hendeqe në informacionin që fëmija merr nga burime të tjera.

Kështu, një kurrikulë e mirë e edukimit seksual në shkolla duhet të ketë në fokus temat se si ata të kenë një marrëdhënie seksuale të shëndetshme.

Dhe mënyrat se si të rinjtë dhe fëmijët të mbrohen nga abuzimet seksuale e të parandalojnë dhunën.

Imazhi i trupit është gjithashtu me rëndësi, sipas psikologes.

Fëmijët duhet të njohin trupin e tyre, të kenë perceptimin e trupit të tyre duke identifikuar edhe pjesët e trupit që nuk janë të pëlqyera nga ata.

“Edukimi mbi imazhin e trupit ndihmon në identifikimin e fëmijëve dhe të rinjve që mund të manifestojnë shqetësime ose simptoma të vetëvlerësimit të ulët ose probleme të shëndetit mendor”, veçon ajo.

Gjithashtu orientimi seksual është i rëndësishëm për krijimin e identitetit të individit dhe njohja me të “redukton problemet e identitetit gjinor që shfaqen më shpesh në moshën e adoleshencën dhe atë të rritur”.

Turp të flitet për organet gjenitale

Për aktivisten Zhaklina Lekatari vëmendja duhet të kthehet te edukimi seksual i fëmijëve për të parandaluar rastet e njëpasnjëshme të abuzimeve seksuale ndaj tyre.

Ajo tregon për “Albanian Post” se prindërit e rinj munden t’i dedikojnë më shumë rëndësi edukimit seksual sepse edukimi seksual fillon në shtëpi.

Sipas saj, edhe formatet digjitale vlejnë si burim informimi, por duhet të gjendet literatura e duhur. Dhe patjetër që duhet ta bëjë prindi këtë.

“Një njeri i edukuar as nuk dhunon dhe as nuk lejon ta dhunojnë. Sepse është i edukuar dhe nëse e dhunojnë, ai di të tregojë se çfarë i ka ndodhur”, ka thënë ajo.

Lekatari veçon faktin se ende ka turp të flitet për organet seksuale, duke iu vënë atyre emra të tjerë dhe duke mos iu referuar si çdo organ tjetër me emrin përcaktues.

“Në të gjitha vendet perëndimore fillon shumë herët edukimi seksual, që në shkollë me filmat vizatimorë, me lodrat që kanë formën e organeve gjenitale, me diskutimet për dashurinë, për marrëdhëniet njerëzore”, tregon ajo.

Aktivistja e heq këtë paralele për të dalluar se fëmijët rriten duke imituar dhe më pas, mbasi kanë kuptuar se kush janë, nisin të ndërtojnë vlerat e veta.

Prandaj duhet të jepet shembulli i mirë në shtëpi sepse kështu zhvillohen njerëzit, kështu zhvillohen fëmijët, duke imituar fillimisht prindërit.

“Ashtu sikurse ndodh në gjërat praktike, ashtu ndodh edhe me konceptet shoqërore. Ti mëson të ushqehesh ose mëson të vishesh duke parë të tjerët”, përmbyll ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore