Shqipëria

Shkodër/ Sekuestrohen 37 mijë e 336 kubikë me fidanë kanabisi, një i arrestuar dhe një tjetër i shpallur në kërkim


Mbi 37 mijë kubikë me fara dhe fidanë kanabis janë sekuestruar në Shkodër.

Policia e Shkodrës ka bërë me dije se janë sekuestruar 37 mijë e 336 kubikë me fara dhe fidanë narkotikë cannabis sativa, 1 automjet, 1 traktor dhe sende që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.

Ajo ka identifikuar dy autorët e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale.

“Kapet dhe arrestohet njëri prej tyre, si dhe vijon puna për kapjen e tjetrit”.

Si u zhvillua operacioni?

Me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se në fshatin Luarzë, ishin mbjellë në kubikë, fara dhe fidanë narkotikë cannabis sativa, me qëllim kultivimin në tokë, shërbimet e Postës së Policisë Velipojë, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe me ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Luarza 1”.

Si rezultat i operacionit, në këtë territor u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 37 336 kubikë me fara dhe fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, 1 automjet, 1 traktor dhe sende që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.

Më tej, gjatë operacionit, si autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, u identifikua, u kap dhe u arrestua shtetasi N. L., 38 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi P. L., 48 vjeç.

Vijon puna për kapjen e 48-vjeçarit, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore