Lajme

SHKK fillon me lejimin e vikendeve të rregullta për të burgosurit e vaksinuar


Ilustrim

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se që nga e marta e pesë tetorit për të burgosurit e vaksinuar kundër COVID-19, do të fillojë lejimi i vikendeve të rregullta.

Sipas njoftimit të SHKK-së, thuhet se “lehtësimi i masave ka filluar në bashkëpunim me Departamentin Shëndetësor të Burgjeve, komfor gjendjes epidemiologjike, vaksinimit nëpër institucione korrektuese dhe vendimeve të Qeverisë”.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë bashkërendimin institucional me institucionet relevante të Kosovës”, vijon njoftimi.

Sipas njoftimit të SHKK-së, për shkak të masave të reja ndaloheshin vizitat familjare për të burgosurit, ndaloheshin të gjitha vikendet në shtëpi për të dënuarit dhe ndalohej puna jashtë institucioneve korrektuese.

“Do të lejohen të burgosurit të komunikojnë nëpërmjet Skype me familjet e tyre, sipas rutinës së përcaktuar nga institucionet”, thuhej në njoftim.

Po ashtu, thuhej se lejohej një numër i shtuar i thirrjeve telefonike gjatë kësaj periudhe ndërsa kufizohet transferimi i të burgosurve “në vetëm rastet e domosdoshme”.

Ndërkaq, më shumë se një muaj më parë, procesi i vaksinimit në burgjet e Kosovës ka nis së zbatuari me rregull, ku shumica e të burgosurve janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës anti-COVID derisa pritet që të marrin edhe dozën e dytë.

Kështu pati thënë drejtori ekzekutiv nga Këshillimi për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala.

“Tek shumica e qendrave të paraburgimit, pothuajse gjendja është e mirë sa i përket vaksinimit të personave të privuar nga liria dhe stafi që punon me ta, gjendja është më e mirë sesa jashtë burgjeve. Shumica e të burgosurve janë vaksinuar, tash po marrin vaksinën e dytë e po ashtu edhe pjesa e stafit janë vaksinuar të cilët e kanë edhe obligative të vaksinohen”, ka thënë Shala.

Sipas tij, nëse një i burgosur refuzon të vaksinohet “rrezikon të dërgohet të mbyllet deri në 14 ditë në karantinim brenda objektit ku e vuan dënimin, qoftë si i paraburgosur ose i dënuar”.

“Departamenti i burgjeve bashkë më shërbimin korrektues e ka koordinuar mirë punën dhe po e mban në kontroll pothuajse nuk ka asnjë rast në mesin e të burgosurve të infektuar me COVID-19,  ndërsa stafi ka disa raste por që po menaxhohet mirë dhe deri tash nuk ka asnjë pengesë. Kanë mjete të mjaftueshme dhe situata është e qëndrueshme”, është shprehur Shala.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore