Lajme

Open Democracy: Shkelje në qeverinë Johnson, Rama shpërndan lajmin në Twitter


Donacione të majme për Boris Johnson-in dhe ministrat e tij janë mbajtur sekrete prej muajsh.

Kjo, sipas një gjetjeje të faqes politike britanike, Open Democracy.

“Boris Johnson dhe qeveria e tij kanë thyer vetë rregullat e tyre të transparencës. Ata kanë lejuar kalimin e disa pagesave të mëdha, të cilat janë mbajtur të fshehta për tetë muaj”, bëhet me dije nga media.

Sipas faqes britanike, kjo është në limitet e shkeljes së kodit ministror të etikës. Një ish-drejtues i Komitetit të Standardeve në Jetën Publike, e ka përshkruar ngjarjen si “skandaloze”.

Rreth 60 mijë paund donacione për rikonstruksionin e apartamenteve private të Boris Johnson-it janë mbajtur të fshehta. Kjo ngjarje po shqyrtohet tashmë nga Komisioni Elektoral në Britani.

Lajmin në Twitter, e ka shpërndarë edhe vetë kryeministri Edi Rama. Personi nga i cili Rama ka marrë postimin origjinal, është gazetari i njohur britanik, Peter Oborne. Ky i fundit, është kritik i fortë jo vetëm i Boris Johnson-it, por edhe i ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Kryeministri Edi Rama rishpërndan lajmin mbi fshehjen e përvetësimit të donacioneve nga Boris Johnson dhe ministrat e tij

Pak orë pasi e ka rishpërndarë këtë lajm ndërkohë, kryeministri Rama e ka hequr postimin nga profili i tij në Twitter.

Ish-zyrtarë të tjerë në Britani e kanë quajtur të rëndë dhe skandaloze këtë situatë ku gjendet qeveria Johnson.

Ky lajm, vjen vetëm pak ditë pas thirrjeve ndaj kryeministrit skocez, Nicola Sturgeon, për të dhënë dorëheqjen rreth akuzave të ngjashme.

Rryma e kritikave për keq menaxhimin e pandemisë vazhdon në Britani ndërkohë. Atyre tashmë i shtohen edhe kritikat lidhur me fshehjen e përvetësimit të fondeve për çështje personale.

Ky hetim i Open Democracy zgjaste prej muajsh. Epiqendër kanë qenë rikonstruksionet e apartamenteve të Boris Johnson-it në Downing Street.

Open Democracy

Open Democracy është një agjenci politike britanike. Të themeluar në vitin 2001, qëllimi kryesor i tyre është raportimi dhe analizimi i problemeve politike dhe sociale.

Nëpërmjet punës së tyre, ata kërkojnë të inkurajojnë debatin politik. Një nga qëllimet e tjera është edhe përballja me pushtetin dhe nxjerrja në pah e shkeljeve dhe padrejtësive.

Ndër çështjet e tjera madhore që ata po trajtojnë momentalisht, është prerja e fondeve britanike ndaj vendeve më të varfra në botë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore