Shqipëria

Shija e munguar e Ministrisë së Infrastrukturës – Sa lehtë mund të humbësh jetën


Është e pamundur të jesh një shtetas shqiptar, apo i huaj, dhe të kesh ardhur për pushime me ndjesi rehatie sa i takon udhëtimit.

Sa mund të duhen për të përshkruar 30 kilometra rrugë interurbane? Rreth 20 minuta? 30 ndoshta?

Mendohuni mirë, pasi vetëm fati mund të bëjë që t’ju duhen diku te 50 minuta. Në të kundërt, radhët kilometrike dhe pritjet prej 90 minutash, apo edhe dy orësh, nuk janë të përjashtuara për një segment si ai “Milot-Rinas”, për të shkuar më pas në Vorë e më tej Durrës dhe pjesët jugore të vendit mandej.

Paradoksalisht, edhe nëse hyn në platformën Google Maps, një degëzim i rrugës dytësore, i cili është thuajse 7 kilometra më i gjatë se sa segmenti kryesor, të kursen disa minuta kohë, por nuk e garanton sërish këtë.

Dikush mund të justifikohet se një segment i projektuar nga Thumana në Kashar, do të jetë zgjidhja përfundimtare për këtë problem.

Por a e justifikon gjendjen e tillë të një rruge kaq thelbësore, si portë kryesore nga pjesa veriore e Shqipërisë drejt bregdetit jugor – qoftë edhe si alternativë?

Të shtjellohemi më tej…

Pandehni se vendmbërritja juaj është ajo drejt bregdetit jugor. Afërmendsh zgjedhja e duhur rrugore, do të ishte zgjedhja e një degëzimi interurban, i cili njihet edhe si rruga e Shkozetit dhe eviton hyrjen në Durrës për të shkuar në qytete si Kavajë, Fier, Divjakë, Vlorë e më tutje.

Segmenti i Shkozetit është i mirëndërtuar në një pjesë të mirë të tij dhe konceptimi me katër korsi është i duhuri…po të mos ishte për disa pika, ku janë të vendosur krejtësisht pa asnjë lloj logjike disa kryqëzime, të orientuar me semaforë, herë funksionalë e herë jo.

Rrezikoni këtu sërish të humbni kohë të vlefshme dhe nuk është habi që një udhëtim nga Tirana drejt Kavajës, i cili në kushtet normale do të përshkruhej për jo më shumë se 45 minuta, në kushte të fluksit të udhëtarëve, t’ju duhet edhe dy orë për t’u përshkruar.

Përse? Sepse një problem të zgjidhjes së degëzimeve në disa fshatra të zonës, i cili mund të shterohej fare thjeshtë me nënkalime apo mbikalime, është zgjedhur të “sheshohet” me kryqëzime të pakuptimta, për të pluskuar trafikun.

Me të kaluar Kavajën, një tjetër aks problematik është ai, i cili lidh Rrogozhinën me Lushnjën e më tej Fierin.

Cilësia e rrugës është e kënaqshme në këtë segment dhe trafiku rrallë herë haset në masa alarmante.

Çështja është se mungon korsia e emergjencës në pjesën më të madhe dhe për të tepër, ka disa kryqëzime, të cilat janë jo thjesht potencial i tragjedive, por një minë me sahat, thjesht për të pritur aksidentin e radhës.

Le ta zëmë se dikush ka qenë në jug dhe në kthim kërkon të kthehet në Divjakë. Manovra e cila shoferi duhet të kryejë, është e tillë që pret në mes gjithë rrugën interurbane.

Korsi ngushtuese ngadalësimi shfaqen disa herë gjatë segmentit rrugor dhe situata të tilla, ku edhe duhet të frenosh krejtësisht, janë të pashmangshme dhe në këtë pikë, hyjmë në fazën ku projektuesi i një rruge, përveçse nuk llogarit elementët kohorë, nuk i interesojnë më as ata jetësor të sigurisë.

Më tej, rruga nga Fieri në Vlorë, është e vërtetë se hyn në spektrin e superstradës dhe është e pajisur me korsi emergjence. Por, në disa segmente, si fjala bie rreth 12 kilometra përpara Levanit, dy ura mbi lumin Seman mundet edhe të të katapultojnë krejtësisht në ajër, për shkak të disnivelit decimal me të cilin janë punuar.

Gjithë këto vetëm për një turist të thjeshtë, i cili nga veriu, vendos të shkojë në jug, pa llogaritur dikë, i cili mund të drejtohet për nga Korça dhe do t’i duhet të kalojë segmentin Librazhd-Prrenjas, ku gominat e urave të mbiamortizuara, të cilat bien në rrugë dhe bëhen shkak kryesor për aksidente.

Apo, më keq akoma, ku në Qafë Thanë, janë vetë njerëzit, sipas shumë raportimeve në javët e fundit, të cilët hedhin në karrexhatë vaj makine, me qëllim dëmtimin e mjeteve, për të përfituar më pas serviset e zonës dhe ku shteti, nuk ndërhyn sërish.

Shqipëri 2023…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore