Sport

Sheriff Tiraspol afër historisë, Monaco shokohet, Salzburg fiton në fund


Po luhen ndeshjet vendimtare për të përcaktuar fazën e grupeve për sezonin 2021/’22 në Champions League.

Nga gjashtë të cilat do të luhen, tre u zhvilluan të martën në mbrëmje.

Në Francë, Monaco dhe Shakhtar Donetsk dolën përballë njëra-tjetrës.

Monaco, e ardhur si favorite në këtë ndeshje, nuk arriti të krijojë asgjë përballë ukrainasve.

Shakhtar ishte solide në mbrojtje, dhe e shpejtë në kundërsulm.

Në minutën e 19-të, fantazisti Pedrinho shënoi për epërsinë e mysafirëve.

Deri në fund nuk ndryshoi asgjë, dhe Shakhtar arriti një fitore shumë të vlefshme në principatë, me ndeshjen në Ukrainë që luhet javën tjetër.

Në Austri, Salzburg priti Brondby-n e Danimarkës.

Ndeshja ishte me dy pjesë të ndryshme, me dy skuadrat që kishin 45 minutëshat e tyre.

Me golin e Uhre-s, Brondby mbylli pjesën e parë me epërsi 1-0.

Adeyemi barazoi në minutën e 56-të,, para se Aaronson të shënonte në fund për fitoren e austriakëve.

Në Moldavi, skuadra që rrugën e nisi përballë Teutës, tani është shumë afër historisë.

Sheriff Tiraspol e Moldavisë të martën e shokoi Dinamo Zagreb-in, duke fituar ndeshjen me rezultat të pastër 3-0.

Dy herë Traore dhe njëherë Kolosov gjetën fundin e rrjetës.

Sheriff janë afër historisë, duke qenë vetëm 90 minuta larg pjesëmarrjes për herë të parë në fazën e grupeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore