Lajme

Shëndetësia e Ushtruesve të Detyrës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Për tri javë rresht Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi i udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk u mblodh për të shqyrtuar çështjet e lëna pezull.

Por, edhe pas tri javësh, kur u mbajt takimi i gjatë pothuajse katër orë të mërkurën e 26 tetorit, s’është se u prodhua gjë.

Anëtari i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Social, Bekim Haxhiu, konsideron se edhe po të mbaheshin mbledhje të rregullta nuk do të kishte përmirësim në sektorin e shëndetësisë.

Pasi sipas tij, shëndetësia në Kosovë, me qeverisjen aktuale vepron vetëm duke u bazuar në grupet e interesave.

“Nuk ka asnjë rezultat të atyre mbledhjeve, as nuk do të ketë sepse ka një muaj që kemi ftuar debat parlamentar për shëndetësi në Kuvend të Kosovës, edhe nuk ka në sektorin e shëndetësisë kush të jap përgjigje”, pohon ai, duke iu referuar edhe faktit që pas dhënies dorëheqje të ministrit Rifat Latifi, ministria ka mbetur me ushtrues detyre.

“Nuk mund të emërojë Kurti një ministër të shëndetësisë për shkak të grupeve dhe ambicieve të mëdha të interesit brenda Vetëvendosjes, por edhe partnerit tjetër të koalicionit të Listës Guxo”, thotë Haxhiu për Albanian Post.

Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi.

Megjithatë, shëndetësia ka edhe një problem tjetër tejet të rëndësishëm.

Pothuajse, të gjitha rolet kyçe për funksionimin e institucioneve shëndetësore në mënyrë të duhur aktualisht janë me ushtrues detyre.

Ministria e Shëndetësisë, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore edhe Inspektorati Shëndetësor, të gjitha këto funksionojnë me ushtrues detyre.

“Ky komision ka qenë një marrje e kompetencave. Prandaj, edhe me mbajtjen e mbledhjeve të këtij komisioni nuk është që pritet ndonjë përmirësim në sektorin e shëndetësisë. Nuk pres asgjë, nga ky komision deri sa ministria e Shëndetësisë dhe kjo Qeveri të dy pozitat kyçe të shëndetësisë i ka me ushtrues detyre”, pohon Haxhiu.

Ndryshe nga Haxhiu, kishte përfaqësues të tjerë të shëndetësisë të cilët mbanin shpresë tek ky komision.

Për nënkryetarin e Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Enlirat Duraku, shëndetësia do të mund të ishte prioritet për herë të parë në Kosovë.

“Krijimi i komisionit ekzekutiv për shëndetësi është dukur si qasja më proaktivë dhe indikator që shëndetësia më në fund nuk do të jetë fokus, por do të jetë edhe prioritet. Si në kuptimin e reformave në shëndetësi, por edhe në përmirësimin e cilësisë në shëndetësi”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ish ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

 Pritshmëritë e Durakut, ishin që mbledhjet të organizohen më shpesh, sidomos pas largimit të ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi.

“Pavarësisht asaj se a jep dorëheqje një ministër apo një tjetër anëtar i këtij komisioni, konsiderojmë që takimet do të duhej të ishin të rregullta pasi që shëndetësia aktualisht në Kosovë, është në një pikë kritike ku nuk e kemi luksin të vonohemi në përpjekjen tonë për të arritur këto objektiva”, pohon Duraku për AP.

“Trendi i ikjes së mjekëve nuk është trend global, mirëpo është e pamundur me kushte aktuale të punës të ndalohet ikja e tyre”.

Çka u diskutua në mbledhjen e katërt të Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi?

Në njoftimin e zyrës së Kryeministrit, thuhej se në takimin e mbajtur të katërt të Komisonit Ekzekutiv për Shëndetësi është diskutuar për rezultatet e para të punës së Komisionit.

Sipas kryeministrit rezultatet pozitive në këtë drejtim janë “udhëzimi i parë, për Licencimin e profesionistëve shëndetësorë të huaj, synon të lehtësojë ardhjen e profesionistëve shëndetësorë të mërgatës dhe të huaj, për të plotësuar ofrimin e shërbimeve që mungojnë ose rrezikojnë të mos ofrohen në institucionet publike shëndetësore”.

Si dhe “udhëzimi i dytë, për thjeshtimin e procedurave për regjistrimin dhe importin e produkteve medicinale, që nuk kanë paralele të autorizuara në Republikën e Kosovës, do të sigurojë që barnat pa garanci të cilësisë nuk do të mund të futen në konkurrencë për tenderë të shpallur nga institucione publike shëndetësore”.

Në komunikatën e zyrës së Kryeministrit, nuk përmendet as zgjidhja që do të ju bëhet institucioneve që aktualisht janë me ushtrues detyre.

“Ministria, në bashkëpunim me Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar, ka nisur përpilimin e nevojave specifike të institucioneve publike. Falë këtyre veprimeve të shpejta, pritet që gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm të vijnë profesionistët e parë nga mërgata dhe ata të huaj në kuadër të kësaj iniciative”.

Pasi që ishte mbledhja e parë që u mbajt që nga largimi i ish ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, sërish kryeministri Kurti në këtë mbledhje ka shfrytëzuar rastin që ta falënderoj atë.

“Ai po ashtu shfrytëzoi rastin për të falënderuar ish ministrin, dr. Rifat Latifi, për shërbimin gjatë 10 muajve në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe ushtruesen e detyrës së ministrit, dr. Dafina Gexha Bunjaku, për gatishmërinë e saj për të udhëhequr këtë dikaster të rëndësishëm”.

Themelimi i Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi dhe largimi i ministrit Latifi

14 shtatori, ishte dita kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte vendosur të themeloj Komisionin Ekzekutiv të Shëndetësisë.

“Si kryeministër propozoj që të themelohet komisioni ekzekutiv për shëndetësi. Ky komision ka këto përgjegjësi: e para të bëjë analizën dhe ndarjen bashkëpunimit publiko privat. Reformimin e SHSKUK-së përmes fuqizimit të QKUK-së dhe spitaleve rajonale, zhvillimin e sektorit publik të shëndetësisë, themelimin e spitalit rajonal të Prishtinës”, kishte deklaruar Kurti.

Kurti përmes levave kishte kërkuar të hartoheshin disa urdhëresa të cilat nga Shoqata Sindikale e Punëtorëve Shëndetësorë në QKUK konsideroheshin diskriminuese për “infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësorë në QKUK”.

Disa nga këto rregulla ishin edhe kontrollimi i punëtorëve shëndetësorë përmes pajisjeve teknologjike me pretendimet se deri tani është abuzuar me pauzat dhe oraret e punës.

Tjetër urdhëresë absurde ishte që “infermieri të shkruhet në hyrje/dalje nga dhoma e pacientit”.

Foto, ilustrim.

Një tjetër ishte që të jenë infermierët ata që “bëjnë evidentimin e frekuentimit të palëve civile nëpër klinikë”, pra të shndërroheshin në rojtarë të klinikave.

Kërkesa të tilla alarmuan stafin e QKUK-së dhe për këtë të enjte u njoftua protestim me mundësinë që të futen edhe në grevë. Urdhëresat absurde i kishin penguar edhe ministrit Latifi, prandaj, ende pa filluar protesta, kryetarja e shoqatës sindikale, Tevide Imeri, zhvilloi takime ministrin.

Ai në takim u zotua për rishqyrtimin e urdhëresave diskriminuese dhe ndaloi protestën e punëtorëve shëndetësorë, megjithatë akoma nuk është marrë një vendim për ndalimin e këtyre urdhëresave.

Disa orë më vonë, Latifi kishte kuptuar se atë që ka premtuar s’e mban dot. Urdhëresat ishin vendosur nga ministri real, Albin Kurti.

Prandaj, të enjten e 6 tetorit, Latifi i shkruan Kurtit se “me zhgënjim të thellë…  po ju informoj se në mënyrë efektive ju ofroj dorëheqjen tim”.

Kështu Latifi arriti të shpëtojë vetën përfundimisht nga kjo qeveri, por jo edhe shëndetësinë, ashtu siç kishte premtuar në emërimin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore