Lajme

Urdhëresat diskriminuese po vazhdojnë në QKUK, punëtorët shëndetësor mund t’i kthehen protestave


Ilustrim.

Akoma nuk ka vendim nga ministria e Shëndetësisë dhe Komisioni Ekzekutiv Shëndetësor të cilin e udhëheq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për ndalimin e urdhëresave të cilat nga Shoqata Sindikale e Punëtorëve Shëndetësorë në QKUK konsideroheshin si diskriminuese për “infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësorë në QKUK”.

Disa nga këto rregulla ishin kontrollimi i punëtorëve shëndetësorë përmes pajisjeve teknologjike me pretendimet se deri tani është abuzuar me pauzat dhe oraret e punës.

Këtë e ka bërë të ditur në një bisedë për Albanian Post, nënkryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësore të QKUK-së, Enlirat Duraku.

“Jo nuk ka vendim për anulim të tyre. Madje edhe përkundër opinionit të KMDLNJ dhe njoftimit për pranueshmëri të ankesës nga Avokati i Popullit, pa e anashkaluar edhe shkresën e Ministrisë së Shëndetësisë, ka drejtor në klinika të caktuar të cilët i detyrojnë infermierët t’i zbatojnë të njëjtat”, thotë Duraku për AP.

Tjetër urdhëresë absurde ishte që “infermieri të shkruhet në hyrje/dalje nga dhoma e pacientit”.

Foto, ilustrim.

Një tjetër ishte që të jenë infermierët ata që “bëjnë evidentimin e frekuentimit të palëve civile nëpër klinikë”, pra të shndërroheshin në rojtarë të klinikave.

Kërkesa të tilla alarmuan stafin e QKUK-së dhe për këtë u njoftua protestim me mundësinë që të futen edhe në grevë. Urdhëresat absurde i kishin penguar edhe ministrit Latifi, prandaj, ende pa filluar protesta, kryetarja e shoqatës sindikale, Tevide Imeri, zhvilloi takime ministrin.

Ai në takim u zotua për rishqyrtimin e urdhëresave diskriminuese dhe ndaloi protestën e punëtorëve shëndetësorë.

Disa orë më vonë, Latifi kishte kuptuar se atë që ka premtuar s’e mban dot. Urdhëresat ishin vendosur nga ministri real, Albin Kurti.

Prandaj, të enjten e 6 tetorit, Latifi i kishte shkruar Kurtit se “me zhgënjim të thellë…  po ju informoj se në mënyrë efektive ju ofroj dorëheqjen tim”.

Kështu Latifi arriti të shpëtojë vetën përfundimisht nga kjo qeveri, por jo edhe shëndetësinë, ashtu siç kishte premtuar në emërimin e tij.

Gjithashtu, më 2 shtator, Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), ka bërë të ditur të premten se ka pranuar ankesa nga infermierët lidhur me disa urdhëresa të lëshuar nga drejtoria e SHKUK/QKUK-së.

Të njëjtit kanë thënë se ndihen të zhgënjyer me trajtimin e infermierëve në disa nga pikat e këtyre urdhëresave.

“Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së kërkon nga SHSKUK/ QKUK që detyrat shtesë që i’u ngarkohen infermierëve bazuar në këto urdhëresa siç janë: Ngarkimi me përgjegjësinë e furnizimit me barëra gjatë fundjavave, duke mos qenë detyrë dhe duke mos u kompensuar për këtë përgjegjësi, thirrja e mjekut për rastet e klinikës”, ishte thënë nga kjo Sindikatë.

Të njëjtit konsiderojnë se këto punë dhe përgjegjësi indirekt e tjetërsojnë natyrën e veprimtarisë së infermierit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore