Shqipëria

Shembja e karburantit në Lushnjë/ Rama: Punonjësit e bashkisë do të shkojnë në Prokurori


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama – siç ishte paralajmëruar – të premten, në takimin me krerët e Bashkive u bëri me dije se në Prokurori do të shkojë çdo punonjës që firmos për ndërtime të paligjshme.

“Për karburantin e djeshëm do shkojnë në Prokurori të gjithë punonjësit e Bashkisë Lushnjë që kanë hedhur firmën”.

Një ditë më parë, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka shembur një pikë karburanti në rrugën Fier-Lushnjë, pasi e kishin ndërtuar pa lejen e organeve kompetente.

Përveç kësaj, subjekti që e kishte ndërtuar u gjobit me 3.8 milionë lekë.

Rama, gjatë këtij takimi, shprehu zyrtarisht zhgënjimin me menaxhimin e mbetjeve në gjithë territorin nga ana e 61 bashkive shqiptare.

Takimi i fundit me kryetarët e Bashkive ishte në muajin korrik, pas arrestimit të ish-kreut të Lushnjës, Fatos Tushe.

Karburanti i shembur në Lushnjë-Fier.
Operacioni “Bregdeti Ynë”

Operacioni për shembjen e ndërtimeve pa leje ka nisur që prej muajit qershor të këtij viti të quajtur “Bregdeti Ynë”. Ata filluan sërish më 1 shtator përgjatë gjithë vijës bregdetare.

Aktualisht, veç zonave bregdetare, po shemben objekte pa leje edhe përgjatë akseve kombëtare.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, e ka theksuar në çdo dalje publike se nuk kemi të bëjmë thjesht me një aksion, por me një proces të vazhdueshëm për kontroll të plotë të territorit.

Në funksion të kësaj së fundit, pritet që Shqipëria të blejë edhe dronë superinteligjentë.

Në fazën e parë të operacionit “Bregdeti Ynë”, që nisi në muajin qershor u shembën mbi 130 ndërtime pa leje dhe u vendosën rreth 132 milionë lekë gjoba për 86 subjekte. Gjithashtu u arrestuan dhe u ndoqën penalisht dhjetëra persona.

Çfarë ndodhi me Fatos Tushen?

Fatos Tushe drejtonte Bashkinë e Lushnjës prej tre mandatesh. Tushe më parë ka qenë dhe deputet i Parlamentit të Shqipërisë.

Më 31 dhjetor të vitit të kaluar, Tushe, së bashku me sekretaren e tij mbetën të plagosur pas një sulmi në zyrë me lëndë plasëse.

Tushe dyshohet se ka abuzuar me fondet e një tenderi prej 24 milionësh të vjetër, në kundërshtim me ligjin.

Gjithashtu, personat e tjerë të arrestuar akuzohen për korrupsion pasiv dhe abuzime me tendera. Mes tyre janë biznesmenë dhe vartës të kësaj bashkie.

Më herët, kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, gjatë fjalës së tij në konferencën “Sfida dhe lufta ndaj korrupsionit”, tha se shumё shpejt do të bëhet evidentimi i abuzimeve me fonde publike.

Ai e cilësoi risi faktin që SPAK-u ka kërkuar konfiskimin e pronave dhe parave që rrjedhin nga struktura kriminale.

Kraja theksoi se “operacioni ёshtё nё të mirёn e vendit, sepse duhet të ikë imazhi i keq”, pasi nё Shqipёri, sipas tij, institucionet janё tё korruptuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore