Shqipëria

Qeveria e zhgënjyer me menaxhimin e mbetjeve, presion bashkive


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe një foto e plehrave në Qerret

“Nëse të gjitha paratë e buxhetit të bashkive duhet të shkojnë për pastrimin, ato do të shkojnë për pastrimin”.

Me një fjali, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e përmblodhi zyrtarisht zhgënjimin me menaxhimin e mbetjeve në gjithë territorin nga ana e 61 bashkive shqiptare.

Rama, me këtë premisë, bëri edhe paralajmërimin e radhës për bashkitë: “Asnjë buxhet i Këshillit Bashkiak nuk kalon nëse nuk është i përfshirë në të, pastrimi siç është kërkuar nga Qeveria”.

Për këtë, sipas Ramës, do të kujdeset ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro. Ajo jo vetëm do të monitorojë punën, por do të marrë pjesë edhe në mbledhjet e këshillave.

Madje, edhe vetë Rama, ka paralajmëruar se do të shkojë në mbledhje, nëse ka indikatorë që kryetarët nuk u përgjigjen kërkesave.

Vetë ministrja nuk e mohoi se ka përmirësime, por sërish ka shumë punë për t’u bërë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro

“Janë gjashtë impiante në gjithë Shqipërinë”, theksoi Kumbaro. “Nuk mund të bëhen landfille në çdo bashki apo qark. Prioritet duhet të jenë ekoparqet”.

Kumbaro shfaqi edhe disa fotografi nga vende kryesisht turistike, ku mbetjet ishin të hedhura në rrugë apo fusha të tëra të “mbjella” me plehra.

Gjithashtu, ajo ua atribuoi gjithë përgjegjësinë bashkive, të cilat kanë kontrollin mbi menaxhimin e plehrave. Për këtë shkak, ajo kërkoi seriozitetin e plotë të tyre për të kontrolluar përpunimin e plehrave.

Turizmi është mjedis

Një nga zonat e përmendura nga Kumbaro, ishte edhe Qerreti. Dy muaj më parë, Albanian Post e pati denoncuar rastin e plehrave dhe shqetësimin e banorëve të zonës.

Kryeministri, nga ana tjetër, ka akuzuar drejtpërdrejtë disa bashki turistike bregdetare. Qëndrimet më të ashpra i ka pasur ndaj kryetarit të Bashkisë Himarë, Jorgo Goro.

Sipas kryeministrit, kjo ka qenë një ndër bashkitë më të “pista” në Shqipëri, duke ndikuar drejtpërdrejt në turizëm.

Për faktin se është i lidhur kaq ngushtësisht me turizmin, trajtimi i mbetjeve duhet të jetë sipas kreut të Qeverisë, prioriteti numër një i çdo pushteti vendor në territor.

Në rast të një vendimi të bashkive për të rritur taksimin, Rama po ashtu ka qenë i prerë, se kjo nuk duhet të ndodhë për familjarët. Përkundrazi! Bizneset e mëdha janë ato që ndotin më së shumti, sipas kryeministrit.

Ndaj, rritja e kostove duhet të bëhet barrë mbi ta.

Për monitorimin e gjithë zonës, Rama nuk ka harruar të ravijëzojë faktin se gjithë territori do të monitorohet me satelit prej marsit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore