Shqipëria

Çuçi: Nis aksioni për shembjen e ndërtesave pa leje


Ministri i Brendshëm në Republikën e Shqipërisë, Bledi Çuçi, me anë të një njoftimi zyrtar ka bërë me dije se ka rinisur operacioni “Bregdeti Ynë” për shembjen e objekteve pa leje.

Të mërkurën e 1 shtatorit, ministri njofton se do të shemben dy objekte në Dhërmi dhe më pas operacioni do të vijojë përgjatë bregdetit dhe në zona të tjera të vendit.

“Rifillojmë sot operacionin “Bregdeti Ynë” për shembjen e objekteve pa leje apo në tejkalim flagrant të lejes së ndërtimit. Ndërprerja ishte e përkohshme për të mos penguar sezonin turistik”, shprehet Çuçi.

Sipas tij, ky nuk është  vetëm një aksion, por një punë e vazhdueshme e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IKMT).

“Gjej shesh të lirë, zapto e ndërto pa leje, të mos e mendojë më askush”, shprehet Çuçi.

Në fazën e parë të operacionit “Bregdeti Ynë” që nisi në muajin qershor u shembën mbi 130 ndërtime pa leje, u vendosën rreth 132 milionë lekë gjoba për 86 subjekte, si dhe u arrestuan e u ndoqën penalisht dhjetëra persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore