Shqipëria

Rama mbledh krerët e Bashkive


Mesditën e 22 tetorit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të zhvillojë një takim me krerët e Bashkive.

Deri më tani nuk dihen detaje konkrete, por mbledhja do të zhvillohet në Kryeministri në orën 12:00 të mesditës.

Takimi i fundit me kryetarët e Bashkive ishte në muajin korrik, pas arrestimit të ish-kreut të Lushnjës Fatos Tushe.

Objektivat e Ramës ishin të qarta që “Partia Socialiste u shërben zgjedhësve dhe jo të zgjedhurve”.

Mesazhi i tij kishte të bënte se, “PS-ja nuk mbështet asnjë person që shkel ligjin”.

“Çdo zgjedhës”, sipas Ramës, “duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varet nga asnjë individ, po është beteja e PS-së për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë dhe çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se PS-ja s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak”.

Çfarë ndodhi me Fatos Tushen?

Fatos Tushe, drejtonte Bashkinë e Lushnjës prej tre mandatesh. Tushe më parë ka qenë dhe deputet i Parlamentit të Shqipërisë.

Më 31 dhjetor të vitit të kaluar, Tushe, së bashku me sekretaren e tij mbetën të plagosur pas një sulmi në zyrë me lëndë plasëse.

Tushe dyshohet se ka abuzuar me fondet e një tenderi prej 24 milionësh të vjetër, në kundërshtim me ligjin.

Gjithashtu, personat e tjerë të arrestuar akuzohen për korrupsion pasiv dhe abuzime me tendera. Mes tyre janë biznesmenë dhe vartës të kësaj bashkie.

Më herët, kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, gjatë fjalës së tij në konferencën “Sfida dhe lufta ndaj korrupsionit”, tha se shumё shpejt do të bëhet evidentimi i abuzimeve me fonde publike.

Ai e cilësoi risi faktin që SPAK-u ka kërkuar konfiskimin e pronave dhe parave që rrjedhin nga struktura kriminale.

Kraja theksoi se “operacioni ёshtё nё të mirёn e vendit, sepse duhet të ikë imazhi i keq”, pasi nё Shqipёri, sipas tij, institucionet janё tё korruptuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore