Shqipëria

“PS-ja u shërben zgjedhësve, jo të zgjedhurve”


Pas operacionit të urdhëruar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) kundër korrupsionit në qytetin e Lushnjës, gjatë së cilës u bë dhe arrestimi i kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe, kryetari i Partisë Socialiste (PS), njëkohësisht kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se PS-ja u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve.

“Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve”, shkruan Rama në statusin e tij në Twitter.

“Çdo zgjedhës”, sipas Ramës, “duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varet nga asnjë individ, po është flamur beteje i PS për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë dhe çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak”.

Fatos Tushe, i cili përfaqëson Partinë Socialiste (PS), e drejtonte Bashkinë e Lushnjës prej tre mandatesh. Tushe më parë ka qenë dhe deputet i Parlamentit të Shqipërisë.

Më 31 dhjetor të vitit të kaluar, Tushe, së bashku me sekretaren e tij mbetën të plagosur pas një sulmi në zyrë me lëndë plasëse.

Ndërtimi i situatës

Sipas informacioneve paraprake, Tushe dyshohet se ka abuzuar me fondet e një tenderi prej 24 milionësh të vjetër, në kundërshtim me ligjin.

Gjithashtu, personat e tjerë të arrestuar akuzohen për korrupsion pasiv dhe abuzime me tendera. Mes tyre janë biznesmenë dhe vartës të kësaj bashkie.

Më herët, kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, gjatë fjalës së tij në konferencën “Sfida dhe lufta ndaj korrupsionit”, tha se shumё shpejt do të bëhet evidentimi i abuzimeve me fonde publike.

“Jemi të vendosur për të ndaluar çdo pasuri kriminale, sepse është e paligjshme ta administrojnë dhe duhet të jetë e dënueshme. Kërkohet produkt më shumë në evidentimin e shkeljeve të fondeve publike. Bëhet fjalë për politikanë”, u shpreh Kraja.

Kreu i SPAK-ut tha gjithashtu se organi “në një kohë kaq të shkurtër, ka dhënë rezultatet e para”.

Ai e cilësoi risi faktin që SPAK ka kërkuar konfiskimin e pronave dhe parave që rrjedhin nga struktura kriminale.

Kraja theksoi se “operacioni ёshtё nё mirёn e vendit, sepse duhet të ikë imazhi i keq”, pasi nё Shqipёri, sipas tij, institucionet janё tё korruptuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore