Shqipëria

Shehaj verifikon firmat e mbledhura nga Berisha dhe konfirmon pjesëmarrjen në Kuvendin e 11 dhjetorit


Agron Shehaj verifikon firmat për thirrjen e Kuvendit Kombëtar

“Sot verifikova personalisht firmat e dorëzuara për mbledhjen e Kuvendit në datën 11 Dhjetor në degët 5 dhe 7 në Tiranë, ku jam drejtues politik dhe i zgjedhur”.

Agron Shehaj, deputet i Partisë Demokratike dhe ish-kandidat për kryetar i kësaj force politike, ka reaguar pas verifikimit që ka kryer për firmat e mbledhura nga Sali Berisha, ku sipas këtij të fundit, anëtarësia ka kërkuar thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 11 dhjetor.

Sipas Shehajt, më shumë se 56% e delgatëve të degës 7 dhe 58% e atyre të degës 5, e kanë firmosur kërkesën për Kuvend.

Nga këta, 98% e atyre që Shehaj ka telefonuar, kanë konfirmuar se e kanë plotësuar formularin.

Agron Shehaj verifikon firmat për thirrjen e Kuvendit Kombëtar

Kështu pra, sipas deputetit, Kuvendi i thirrur nga anëtarësia, është tërësisht legjitim.

“Në respekt të vullnetit të demokratëve, do marr pjesë në Kuvend”, tha ai për mediat.

Ndërsa mbi përplasjen e Lulzim Bashës dhe Sali Berishës për kreun e partisë, ai nënvizon se situata, zgjidhet vetëm përmes votës në Kuvend.

Një fjali përfundimtare e tij, duket se i drejtohet kryetarit aktual, Lulzim Basha.

“Shmangia e ballafaqimit me anëtarët vetëm do thellojë përçarjen dhe dobësojë opozitën”, përmbyll reagimin Shehaj.

Show mediatik

Veprimi i Shehajt, nuk ka mbetur pa u komentuar edhe nga strukturat e Partisë Demokratike.

Në një reagim pas lajmit se deputeti po konfirmonte vërtetësinë e firmave, nga dega 5 dhe 7, u lëshua një deklaratë e përbashkët, e cila e theksonte veprimin e deputetit si “show mediatik”.

“Agron Shehaj dështoi të verifikojë firmat e demokratëve, sepse ai as nuk e njeh bazën e partisë. As nuk e respekton atë. Si drejtues politik i degëve 5 dhe 7 në Tiranë, Agron Shehaj nuk ka bërë asnjë takim me demokratët që prej ditës që u zgjodh deputet”.

Kështu shkruhej në reagimin e tyre.

Ndërsa me vendosmëri, strukturat drejtuese të këtyre degëve, shprehnin “vendosmërinë për të mos lënë demokratët në baltë”.

“Ne jemi në krah të demokratëve dhe interesit të Shqipërisë. Me misionin e vetëm për rrëzimin e regjimit të Edi Ramës dhe rikthimin e PD në pushtet”.

Ish-kandidat

Agron Shehaj, ka qenë një nga katër kandidatët për kreun e Partisë Demokratike në zgjedhjet e brendshme, të zhvilluara më 13 qershor.

Është e vërtetë se Lulzim Basha fitoi me një shumicë dërrmuese votash, por Shehaj, ishte një befasi!

Ai arriti të marrë 6 mijë e 38 vota të vlefshme për kreun e PD-së. Krahasimisht, Basha rroku fitoren me 32 mijë e 882 vota.

Nga ana tjetër, figura të tjera më të vjetra në parti, nuk kapën as 1 mijë vota.

Katër kandidatët për kreun e PD-së

Pra, Shehaj, përtej faktit se nuk kishte shumë vite aktive në strukturat e PD-së, arriti të marrë një rezultat të respektueshëm.

Rezultatin e pranoi dhe garantoi bashkëpunim me Bashën. Por, sërish, ka pasur kontradikta të dukshme gjatë gjysmës së dytë të vitit mes tyre.

Pikërisht kjo e foltoreve të Berishës, është një ndër to.

Shehaj nuk ka treguar mbështetje të hapur për Berishën. Por ai ka bërë të qartë në disa dalje televizive, se ato mund të shërbejnë vetëm për mirë në debatin e brendshëm partiak.

Ndërkohë, shenja se ai mund të kërkojë sërish të bëhet pjesë e garës për kryetar, nuk ka.

Edhe pse, me Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga anëtarësia pro-Berishës, vendime të rëndësishme mund të merren, të cilat nuk dihet nëse do të quhen apo jo statutore.

Pavarësisht këtij fakti, e sigurt është se Shehaj, do të jetë pjesëmarrës në Kuvendin berishina. Ndërsa, mbi atë të Bashës, nuk ka pasur deklarime nga ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore