Kosova

Shefja e UNMIK-ut shpreh keqardhje për mos-arritjen e marrëveshjes për targat


Caroline Ziadeh

Ndonëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta shtyrë masën e gjobitjes për 48 orë, përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Caroline Ziadeh, ka shprehur keqardhjen që të hënën në Bruksel nuk është arritur një marrëveshje në mes të palëve për çështjen e targave.

Për Ziadeh në këtë fazë është e nevojshme të shmanget çdo përshkallëzim që mund ta destabilizojë situatën në terren.

“Dialogu dhe kompromisi janë themeli i çdo plani për paqe të qëndrueshme. Liderët duhet të jetë të përgjegjshëm dhe të jenë të përkushtuar ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Ziadeh.

“Bisedimet duhet të vazhdojnë me mirëbesim në mënyrë që trajektorja aktuale të kthehet në të kundërt”, ka shtuar ajo.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar përmes llogarisë në Twitter se ka pranuar kërkesën e SHBA-ve për të shtyrë vendimin për targat.

Kërkesa për shtyrje erdhi nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një njoftimi në Twitter.

Kurti, e ka falënderuar ambasadorin për “përkushtimin dhe angazhimin”, derisa ka shtuar se “e pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh të gjobave për targat ilegale ‘KM’ dhe të tjera”.

Thirrja për shtyrje e ambasadorit vjen pas takimeve të shumtë e të gjatë në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe ndërmjetësuesve të Brukselit, Josep Borell e Miroslav Lajcak.

Nga këto takime nuk u dol me një zgjidhje.

Siç u kuptua më vonë. BE-ja ka vendosur një propozim ku Kosovës i kërkon të shtyjë vendimin për gjobat e veturave me targa ilegale, ndërsa Serbisë që të ndalojë emetimin e atyre targave.

Vuçiç është pajtuar me propozimin.

Me propozimin për shtyrje është pajtuar edhe Kurti, por ka kërkuar që pjesë e kësaj marrëveshje të jetë caktimi i afatit për arritjen e një marrëveshje të përgjithshme për normalizim.

Ky ka qenë kushti i Kurtit që të pranojë vendimin, kjo është refuzuar dhe më pas palët kanë mbetur pa marrëveshje.

Vendimi për gjobat, siç ishte njoftuar, pritej të fillonte nga ora 8:00 e së martës.

Kurti shtyn vendimin për targat, pranon kërkesën e Amerikës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore