Shqipëria

Shefja e IT-së te AKSHI, që trafikonte drogë e përdorte makinën e institucionit për të shmangur Policinë


Më 29 dhjetor, tre persona do të kapeshin në Qafë Thanë, duke transportuar një sasi prej 58 kilogramësh lëndë narkotike kanabis sativa, me qëllim trafikimin e drogës drejt Maqedonisë së Veriut.

Ajo çfarë ra në sy, është fakti se një prej të ndaluarve – e me sa duket personi kryesor në gjithë rrethanat – ishte një punonjëse e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Bëhet fjalë për Erisa Feron, 28-vjeçare, e cila me t’u marrë vesh lajmi, u shkarkua nga detyra si specialiste, ashtu si vetë AKSHI bëri me dije në një deklaratë për shtyp.

Mirëpo, Fero, nuk ishte një specialiste dosido, por as më pak e as më shumë se shefe kompjuterike, e njohur gjerësisht në fushë si “Head IT”, ku akses ka pasur në databazat e sistemit e-Albania, TIMS apo të tjera si doganat dhe tatimet.

Në vetvete, një fakt ky shumë shqetësues për të gjithë qytetarët, pasi të dhënat e tyre ruhen në këto sisteme dhe me sulmet e fundit kibernetike, frika ndaj ekspozimit është e rritur ndjeshëm.

Për më tepër, kur zbulohet se një shefe IT-je, trafikon drogë.

Siç mësohet, Fero për më tepër përdorte edhe dokumentet e punësimit apo vetë automjetin zyrtar të punës, për të shmangur postblloqe apo kontrolle policore rutinë.

Ka qenë pikërisht kjo gjë, ajo e cila ngjalli dyshim tek organet e përcaktuara, duke nisur kështu hetimin dhe duke ndërmarrë një operacion mbi një vit, për të çuar në pranga punonjësen e AKSHI-t.

Mendohet se aktin e trafikimit të lëndëve narkotike, ajo ta ketë kryer shpesh në këtë vit, por vetëm këtë herë të fundit u faktua, duke e çuar atë në burg.

Teksa, Gjykata, ka lënë në fuqi vendimin për arrest me burg, deri në shpalljen e dënimit për të dhe bashkëpunëtorët e saj.

S’na vjen e qeshura nga hashashi i punonjëses së AKSHI-t

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore