Shqipëria

S’na vjen e qeshura nga hashashi i punonjëses së AKSHI-t


Të dhënat e pagës dhe një pjesë e mirë e atyre personale (në mos të gjitha) u janë publikuar shqiptarëve në dy vitet e fundit, mes rrjedhje informacionesh, sulmesh kibernetike e rrethana të tjera.

Kush thotë se garancinë e ka të plotë, për ruajtjen e të dhënave të veta, ose nuk i ka lexuar lajmet asnjëherë, ose ka ndonjë element të shtuar sigurie në vete.

Pse jo, ndoshta, edhe një mirëbesim ndaj institucioneve, të cilat duhet ta garantojnë këtë aspekt të jetës normale të njeriut.

Por, çfarë të thuash kur personat, të cilët duhet të punojnë me seriozitet për mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve, fjala bie, kapen me 58 kilogramë hashash në veturë, duke i transportuar me qëllim dërgimin në një vend fqinj?

Rasti nuk është vegim, as ndonjë efekt i substancave halucinogjene.

Është një lajm i mësuar sot nga Policia e Shtetit, e cila bëri me dije se Erisa Fero, një punonjëse e AKSHI-t si specialiste në portalin e-Albania (portal që përmban të dhënat e qytetarëve), ishte kapur së bashku me dy shtetas të tjerë dhe arrestuar, për transportim të jashtëligjshëm lëndësh narkotike.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, e cila operon edhe platformën e-Albania, sigurisht që e mori një masë të menjëhershme, duke nisur procedurat e shkarkimit për punonjësen e institucionit.

Mirëpo shqetësuese është, të shohësh se operacioni policor për kapjen e Feros e të tjerëve, e ka nisjen në nëntor 2021, pra një vit e një muaj më parë, duke reflektuar kështu se përfshirja e supozuar e saj në veprimtari të tilla kriminale, janë sinjalizuar 13 muaj më parë dhe në të 13-ë këta muaj, ajo ka vijuar punën si specialiste, është marrë me të dhënat e të gjithëve, ka “përballuar” sulmet kibernetike iraniane e kushedi çfarësoj situatash të tjera domethënëse në agjencinë shumë të rëndësishme.

Duhet thënë me këtë se AKSHI kësisoj, është një institucion THC-je dhe jo informatike?

Kurrsesi jo, pasi nuk mund të pandehim pastërtinë e punonjësve aty, pa pasur prova të qenësishme mbi cilët ata punonjës janë. Mes tyre, me siguri edhe njerëz shumë profesionalë e seriozë mund të ketë.

Në nivel ndjesie? Veç të qeshura nuk na shkaktoi rasti!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore