Lajme

Shefi i Zyrës së BE-së: Keqardhje për kryetarët nga Lëvizja Vetëvendosje që nuk morën pjesë në takim


Tomas Szunyog

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, tha se ndihet keq që në takimin që pati sëbashku me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeff Hovenier, kryetarët e rinj të Leposaviqit dhe Mitrovicës Veriore nuk morën pjesë.

Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, të cilët fituan zgjedhjet e 23 prillit me Partinë Demokratike të Kosovës, i janë përgjigjur thirrjes për takim, pas situatës së tensionuar në pjesën veriore të Kosovës, e cila u mbajt në zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Në takim ishin ftuar edhe kryetarët e Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut, përkatësisht Lulzim Hetemi dhe Erden Atiq, të cilët fituan me Lëvizjen Vetëvendosje, por ata nuk kanë marrë pjesë në këtë takim, me qëllim uljen e tensioneve në komunat e banuara me shumicë serbe.

“Ambasadori Hovenier dhe unë u bëmë thirrje dy kryetarëve të komunave që të tregojnë përmbajtje dhe të mos ndërmarrin veprime që mund të përshkallëzojnë më tej situatën. Më vjen keq që kryetarët e Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut nuk mundën të na bashkohen”, shkroi Szunyog.

Po ashtu, kryetarët e rinj të hënën kanë pasur takim edhe me Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Prishtinë, Nicholas Abbott, megjithatë nuk dihet nëse në këtë takim janë të pranishëm të katër kryetarët e komunave veriore.

Të hënën ka vazhduar tubimi i serbëve para objekteve komunale në veri të vendit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyra. Përveç njësiteve policore të Kosovës, një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it gjendet para objekteve të komunave në këtë zonë të banuar kryesisht me serbë etnikë.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.

Situata politike në katër komunat e veriore të Kosovës është sfidë që shkon përtej parimeve kushtetuese e ligjore të Kosovës. Kryetarët e zgjedhur janë optimistë se kanë “kapacitet dhe kompetenca” për t’iu përgjigjur qytetarëve. Por, qeverisja në veri, përkundër fitores në zgjedhje do të jetë mjaft sfiduese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore