Lajme

Shefi i stafit të Kurtit për situatën në Veri: S’mund të tolerojmë veprime kriminale në emër të stabilitokracisë


Luan Dalipi – shefi i kabinetit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti,  ka reaguar përmes një cicërime në Twitter për situatën në Veri pas tensioneve të krijuar atje, ku kryetarët e zgjedhur janë futur brenda objekteve të Komunës me asistencën e Policisë së Kosovës.

“Lidhjet e forta autoritare të krahut të djathtë me Moskën (Aleksandër) Vuçiç, i cili përdor taktikat e viteve ’90 të (Sllobodan) Millosheviç-it për nxitjen e dhunës dhe urrejtjes, po orkestron një tjetër dhunë në veri të Kosovës”, ka shkruar ai në Twitter.

Tutje, Dalipi tha se e gjithë kjo situatë e krijuar që është duke u nxitur nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sipas tij “është për të larguar vëmendjen nga problemet në vendin e tij Serbinë”.

“Nuk ka alternativë për ruajtjen e shtetit ligjor dhe demokracisë”, tha ai.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, por edhe Bashkimi Evropian – bënë thirrje Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “që menjëherë të ndalë këto masa të dhunshme dhe të rifokusohet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian” por shefi i stafit të Kurtit nuk e mendon të njëjtën, pasi që siç thotë ai nuk mund të tolerohen veprime kriminale në emër të stabilitokracisë.

“Nëse ruajtja e ‘stabilitokracisë’ do të thotë mbyllja e syve ndaj sulmeve të orkestruara kundër institucioneve tona nga një grusht kriminelësh dhe huliganë të paguar nga Beogradi dhe në listën e zezë të Thesarit në SHBA, atëherë jo faleminderit”, ka përfunduar Dalipi.

Ndryshe, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dënojnë ashpër atë çfarë ka ndodhur këtë të premte në Veri të Kosovës, kur policia asistoi kryetarët e ri të Leposaviq-it, Zveçanit dhe Zubin Potokut të futen në zyrat e tyre.

“Ne fuqishëm e dënojmë aksionin nga Qeveria e Kosovës që po eskalon tensionet në veri dhe po rritë pasigurinë”, ka thënë Blinken.

Ai i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të tërhiqet menjëherë.

“Thërrasim kryeministrin Albin Kurti që menjëherë të ndalë këto masa të dhunshme dhe të rifokusohet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, shkroi Blinken në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore