Lajme

SHBA zgjat statusin e qëndrimit për 7000 sirianë


Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA),  kanë zgjatur “statusin e qëndrimit” të përkohshëm për gati 7 mijë sirianë. Kjo për shkak të luftës që po ndodh në atdheun e tyre.

Sekretari i përkohshëm i Departatamentit të Sigurisë Kombëtare, David Pekoske, tha se statusi do të zgjatet me 18 muaj.

Ky lehtësim ishte vendosur të mbaronte më 31 mars, por tani do të skadojë në shtator të 2022-it.

Statusi i përkohshëm, i lejon shtetasit e huaj të qëndrojnë në SHBA, nëse nuk kanë ndonjë formë tjetër të qëndrimit ligjor dhe vijnë nga një vend ku kthimi do të vinte në rrezik jetën e tyre.

Pekoske, tha se Siria i plotëson këto kritere për shkak të luftës së vazhdueshme të vendit.

Presidenti Joe Biden, u zotua gjithashtu se do t’ua mundësojë këtë edhe imigrantëve nga Venezuela. Ai ka përmendur trazirat ekonomike në vendin e Amerikës së Jugut, megjithëse paraardhësi i tij, Donald Trump,  kishte dhënë mbrojtje përmes një programi të ngjashëm para se të linte detyrën.

Lufta civile në Siri, është një konflikt i vazhdueshëm i armatosur midis forcave besnike të qeverisë së Partisë Ba’ath dhe atyre që kërkojnë të rrëzojnë atë. Konflikti filloi më 15 mars të 2011-ës me demonstrata në mbarë vendin, si pjesë e lëvizjes së njohur si Pranvera Arabe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore