Lajme

SHBA-të i kërkojnë Turqisë të ndalojë linjat ajrore drejt Rusisë


Një trysni e lartë po ushtrohet nga Washingtoni drejt Turqisë, në mënyrë që kjo e fundit të ndalojë përfundimisht linjat ajrore drejt Rusisë dhe Bjellorusisë, mbi të gjitha për ato rrugë, ku në përdorim janë avionë me prodhim amerikan.

Madje, presioni është bërë edhe duke lënë në perspektivë edhe sanksione kundrejt personave të ndryshëm të botës së biznesit në Turqi, të cilët janë pranë presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Këta individë, mund të rrezikojnë, sipas një hetimi nga e përditshmja amerikane “Wall Street Journal”, deri në burgim, gjoba të mëdha apo heqje të privilegjeve të eksportit përtej Atlantikut.

Po ashtu, trysnia e ushtruar për fluturimet drejt Rusisë, shihen edhe si një test i fortë mbi atë çfarë Ankaraja cilëson si aleancë me SHBA-të, brenda organizmit të NATO-s dhe si bashkërendim i punës diplomatike të vendeve, në disa sfera.

Turqia, është ndër të paktat vende të Evropës, të cilat nuk i kanë prerë tërësisht raportet me Moskën. Përkundrazi, vetë Erdogan ka lobuar disa herë për të qenë ndërmjetës mes palëve (Rusisë dhe Ukrainës) pas luftës, duke organizuar disa tryeza, prej të cilave ka pasur edhe suksese të caktuara.

Një ndër to, është edhe marrëveshja grurit, e cila lejon Ukrainën të eksportojë pa problem një sasi të mëdha drithërash nga portet jugore të vendit, pa hasur në pengesa nga pala ruse, Ushtria e të cilës është vendosur aty.

Me kontrollin e ngushticës së Bosforit që Ankaraja ka në Detin e Zi, Erdogan ka pasur në dorë një çelës të fortë për të mbajtur palët nën kontroll, si Kievin, ashtu edhe Kremlinin.

Mirëpo, duke lejuar fluturimet drejt Moskës, e gjitha bie ndesh me politikat që SHBA-të dhe Bashkimi Evropian kërkojnë të ndërmarrin.

Presioni amerikan ndërkaq, është zhvilluar edhe në nivele të larta dhe pritet se çfarë do të ndodhë dhe nëse nga pala turke, do të ketë apo jo rezistencë, parë edhe problemet e shkuara me Washingtonin, mbi çështjen e mbështetjes së kurdëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore