Shqipëria

SHBA-të i kërkojnë Ballës hetim për ndërhyrjet e raportuara në sistemin TIMS


I Ngarkuari me Punë i Ambasadës në Tiranë, H. Martin McDowell, ka zhvilluar një takim me ministrin e Brendshëm shqiptar, Taulant Balla, ku ka kërkuar hetim, pas shqetësimeve mbi raportimet se ka pasur ndërhyrje në sistemin TIMS.

Të dy zyrtarët diskutuan bashkëpunimin SHBA-Shqipëri në fushën e zbatimit të ligjit dhe mbështetjen për një sërë çështjesh të lidhura me sigurinë, siç ka bërë me dije vetë Ambasada e SHBA-ve, përmes një komunikate.

I ngarkuari me Punë McDowell vuri në dukje shqetësimet e SHBA në lidhje me ndërhyrjen e raportuar në sistemet TIMS në Policinë e Shtetit.

Ai njëkohësisht nxiti një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm dhe theksoi rëndësinë që ka mbrojtja e të dhënave vetjake/sensitive, përfshi edhe të qytetarëve amerikanë në Shqipëri.

McDowell i tha gjithashtu ministrit Balla se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta mbështesin Ministrinë dhe Policinë e Shtetit në hetimin e tyre.

Nga ana tjetër, ministri Balla ka theksuar si proces me rëndësi atë të vetëpastrimit të Policisë së Shtetit, i cili sapo ka hyrë në një fazë të re dhe që do t’i shkohet deri në fund.

“Forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizatës së Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit”, nënvizoi Balla.

Teksa, çdo gjetje, ankesë, informacion për thyerje të ligjit, normave etike dhe rregulloreve të brendshme, ai ka garantuar se do të hetohet plotësisht, duke vendosur theksin tek siguria e të dhënave dhe sistemeve sensitive.

“Kërkesa jonë për çdo formë të mundshme mbështetjeje nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë për Ministrinë dhe Policinë e Shtetit po gjen mbështetje pozitive në këtë drejtim”, përmbylli ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore