Shqipëria

SHBA-të do të mirëpresin udhëtarët e vaksinuar me Sinovac


Përmes një vendimi të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), Shtetet e Bashkuara do të mirëpresin udhëtarët evropianë – përfshirë shqiptarët – që janë vaksinuar me Sinovac në Shqipëri.

Në njoftimin e autoriteteve amerikane, Sinovac renditet mes vaksinave të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH).

“Udhëtarët nga vendet evropiane të cilët janë imunizuar kundër COVID-19 me vaksina të autorizuara nga Organizata Botërore e Shëndetit do të lejohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara sapo qeveria e kësaj të fundit heq ndalimin e vendosur për ardhjet nga Evropa”, lexohet në deklaratë.

Vaksinat që do njihen nga autoritetet amerikane janë Moderna; Pfizer/BioNTech; Janssen (Johnson & Johnson); AstraZeneca, përfshirë Covishield; Sinopharm (Pekin) dhe Sinovac.

Muajin e kaluar, Shtëpia e Bardhë njoftoi se autoritetet në Shtetet e Bashkuara do të heqin ndalimin e hyrjes të vendosur për udhëtarët nga 26 vende të Zonës Shengen, si dhe ata nga vendet evropiane, raporton SchengenVisaInfo.com.

Për më tepër, kufizimet e udhëtimit që janë mbajtur në fuqi nga autoritetet amerikane që nga fillimi i pandemisë për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të virusit, kanë prekur gjithashtu udhëtarët nga Kina, India, Brazili dhe Britania e Madhe, ndër të tjera.

Sidoqoftë, përkundër njoftimit se qeveria më në fund do të lejojë udhëtarët e vaksinuar nga një numër i madh vendesh të hyjnë në territorin amerikan, nuk u specifikua se cilat vaksina do të pranoheshin si dëshmi të vlefshme të imunitetit.

Të premten e 8 tetorit, CDC-ja theksoi se do të lëshojë udhëzime dhe informacion shtesë pasi kërkesat e udhëtimit të jenë përfunduar”.

Kufizimet

Për të ndaluar përhapjen e coronavirus-it, në mars të vitit 2020, ish-Presidenti amerikan, Donald Trump, vendosi kufizime udhëtimi për një numër të madh vendesh.

Presidenti aktual i SHBA-ve, Joe Biden, e zgjati më tej kufizimin në fillim të mandatit të tij.

Në muajin korrik, Biden tregoi se ndalimi i vendosur për udhëtimet nga Evropa së shpejti mund të hiqet, duke rritur shpresat e udhëtarëve evropianë.

Vendimi i autoriteteve amerikane është kritikuar vazhdimisht nga qeveritë dhe organizatat evropiane.

Më 28 qershor, Këshilli Evropian përfshiu SHBA-në në listën e vendeve të konsideruara të sigurta bazuar në situatën e tyre epidemiologjike.

Pastaj, më 30 gusht, Këshilli hoqi SHBA-të nga lista e sigurt, duke u bërë thirrje Shteteve Anëtare të saj që të vendosin rregulla më të rrepta për udhëtarët nga SHBA-të.

Nga ana tjetër, që nga fillimi i pandemisë, autoritetet amerikane kanë mbajtur rregulla të rrepta të hyrjes për mbërritjet nga vendet evropiane, duke ndaluar hyrjen e tyre për mbi 18 muaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore