Shqipëria

SHBA-të dhe Rama – njëkohësisht – urojnë Dumanin për zgjedhjen si kreu i SPAK


Me pak minuta ndryshim, por përmbajtësisht në mënyrë thuajse identike, kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe Ambasada Amerikane në Shqipëri, kanë uruar zgjedhjen e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme SPAK, Altin Dumani, nga ana e Këshillit të Lartë të Prokurorëve.

Dumani, me pesë vota pro, kaloi në garë rivalin Edvin Kondili, i cili mori katër vota në emrin e tij dhe Adnan Xholin, i cili mori vetëm një votë.

Kështu, duke e përmbyllur një proces shumë të përfolur për SPAK-un dhe të komentuar edhe mediatikisht, përkatësisht si një “luftë” personale mes amerikanëve dhe kryeministrit Rama, për zgjedhjen e drejtuesit të ri të institucionit.

Mirëpo, ashtu si një takim i mëngjesit, ku Rama dhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim, u panë bashkë, po aq bashkë i bënë edhe urimet përkatëse për Dumanin.

Në mënyrë më të thjeshtë, kryeministri zgjodhi që përmes një statusi në Twitter, të hidhte poshtë akuzat për ndërhyrje në proces, duke thënë se zgjedhja e Dumanit dhe i gjithë procesi e mënyra si u zhvillua, “folën vetë”.

“Procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK foli vetë për të gjithë ata që duan të dëgjojnë dhe të gjitha thashethemet e katundit politik e mediatik për kapjen e skapjen e SPAK-ut nga regjimi i mori era! Urime drejtuesit të ri dhe fjalën le ta marrë puna me rezultate konkrete!”, komentoi Rama.

Amerikanët ndërkaq, në mënyrë më të shtjelluar, theksin sërish e kishin për nga një proces me integritet të plotë.

Përmes një postimi në median sociale Twitter, Ambasada Amerikane shkroi – pak minuta përpara Ramës – se të tre kandidatët janë për t’u vlerësuar për nivelin e lartë të kualifikimit që kanë dhe se SHBA-të, presin të kenë bashkëpunim të ngushtë me të tre ata.

Mbështetja, nuk do të mungojë në luftën kundër korrupsionit në vend dhe krimit të organizuar.

Sa i përket vetë Dumanit, amerikanët presin të kenë bashkëpunim të lartë, duke i dhënë mbështetje kësisoj drejtuesit të ri të SPAK, në luftën që është nisur kundër fenomeve të jashtëligjshme në nivele të larta.

Një falënderim, ka shkuar edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorëve, për procesin integral dhe serioz në zgjedhjet e drejtuesit të ri të SPAK, ku thelbi i gjithçkaje sipas tyre, është mbrojtja e integritetit të institucioneve të drejtësisë.

Një fjalë falënderuese në fund, ka shkuar edhe për ish-kreun e SPAK, Arben Kraja, i cili lë detyrën zyrtarisht më 19 dhjetor.

Sipas palës amerikane, me lidershipin dhe përkushtimin ndaj detyrës si kreu i parë i SPAK në Shqipëri, Kraja ka vendosur themele të forta, ku pasuesit e tij mund të ndërtojnë në të ardhmen, në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Kësisoj, është përmbyllur në mënyrë tërësore një proces ku ka pasur spekulime e akuza për parapërcaktimin e fituesit, përfshi edhe nga kreu i opozitës, Sali Berisha.

Sipas këtij të fundit, Rama dhe ambasadorja Kim, kanë qenë në mënyrë të vazhdueshme në bashkëpunim, për të vendosur në krye të SPAK kandidatin Edvin Kondili.

Mirëpo, ky i fundit, nuk i mori dot votat e nevojshme, duke u mundur në garë nga Dumani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore