Lajme

SHBA për Samitin e Demokracisë: Publikohet lista zyrtare e shteteve të ftuara


Departamenti i Shtetit i SHBA-ve

Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka publikuar në faqen zyrtare të dhënat për Samitin e Demokracisë, ku Kosova figuron në listën zyrtare të shteteve të ftuara në samit.

Vendimi i administratës amerikane që ta ftojë Kosovën erdhi disa ditë pas njoftimit se Kosova nuk ishte në mesin e shteteve të ftuara.

Për ftesën e Kosovës kishte njoftuar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani menjëherë pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale të cilat u mbajtën me 14 nëntor.

Gjithashtu, thuhet se samiti ka për qëllim që të shfaqë kundërshtitë ndaj liderëve autoritarë të cilët po e minojnë demokracinë – duke shënjestruar gazetarët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut, ndërhyrjen në zgjedhje duke pretenduar se modeli i tyre autoritar është më i mirë për qytetarët.

Shtëpia e Bardhë

Më 9 dhe 10 dhjetor 2021, Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden do të organizoj të parin nga dy Samitet për Demokracinë, i cili do të bashkojë liderët nga qeveritë, shoqëria civile dhe sektori privat për të përcaktuar një agjendë afirmative për rinovimin demokratik dhe për të trajtuar kërcënimet më të mëdha me të cilat përballen demokracitë përmes veprimit kolektiv.

Ndërsa disa javë më herët, mediumi amerikan “Politico” kishte publikuar një listë prej 100 shtetesh që janë ftuar nga presidenti Biden për Samitin e dhjetorit.

Në atë listë nuk figuronin Kosova, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nga Ballkani.

Kjo nxiti reagime të opozitës dhe shoqërisë civile.

Një grup i organizatave joqeveritare nga Kosova, kishte kërkuar përmes një letre që SHBA-të të shqyrtojnë ftesën për Kosovës që të marrë pjesë në Samit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore