Lajme

SHBA: Një burrë grabit një dyqan me një armë Nintendo


Bllof pothuajse i suksesshëm.

Të shtunën e 3 qershorit, një burrë nga Karolina e Jugut u arrestua pasi autoritetet thanë se ai grabiti një dyqan me një armë false, të krijuar për të luajtur një lojë video Nintendo, raporton multi-mediali amerikan CNN.

David Joseph Dalesandro, 25 vjeç, grabiti dyqanin ushqimor “Kwik Stop” në Sharon, një qytet i vogël në veriperëndim të Karolinës së Jugut, duke përdorur një armë loje “Duck Hunt” të lyer me ngjyrë të zezë, sipas autoriteteve vendase.

CNN nuk ishte në gjendje të përcaktonte nëse ai ishte tashmë i përfaqësuar nga një avokat.

Dëshmitarët thanë se një individ hyri në dyqan më 30 maj i veshur me paruke, me kapuç dhe fytyrën e mbuluar me maskë, sipas një njoftimi për shtyp nga zyra e sherifit.

Ai mbante në rrip aksesorin e njohur për lojtarët e viteve 80, armën e lojës “Duck Hunt”, fillimisht gri dhe portokalli, e kamufluar me kujdes me bojë të zezë.

Dalesandro dyshohet se i tregoi shitësit armën e rreme dhe kërkoi rreth 300 dollarë, thanë autoritetet.

Sipas njoftimit për shtyp të autoriteteve lokale, ata zbuluan David Dalesandro-n në parkingun e një dyqani Dollar General aty pranë, tre ditë më vonë, ende i armatosur me armën e lojërave të fshehur në pantallonat e tij.

Ai u arrestua dhe u mbajt në paraburgim më 3 qershor, duke i sekuestruar gjithashtu lodrën që po përdorte si armë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore