Lajme

SHBA në mbrojtje të Reçakut: Nuk mund ta mohoni krimin


Masakra e Reçakut

Departamenti i shtetit amerikan (DASH) ka dal në mbrojtje kundër tentimit të Serbisë për mohim të masakrës së Reçakut.

DASH i është kundërpërgjigjur ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, pas deklarimeve të tij se kinse masakra e Reçakut nuk ka ndodhur asnjëherë dhe se ajo është “një gënjeshtër e madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm”.

DASH ka thënë se “mizoritë që kanë ndodhur në Reçak në janar të vitit 1999, përfshirë masakrën e civilëve, janë të dokumentuara mirë”.

“Mohimi i këtyre fakteve themelore dhe madhërimi i krimeve të luftës sjellin dhimbje për të mbijetuarit, çnderojnë viktimat dhe mbajnë gjallë ndarjet që vazhdojnë të pengojnë pajtimin e qëndrueshëm, paqen dhe prosperitetin për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në një deklarim të DASH-së për REL.

Ndërsa Vulin, deklarimin për mohimin e masakrës së Reçakut e ka bërë gjatë vizitës që i ka bërë të premten e 10 dhjetorit ekipit i cili po xhiron filmin për ngjarjet në Reçak të janarit të vitit 1999, si pjesë e serisë së dokumentarëve “Dosja e Kosovës”.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin.

Por ai kur deklaron se Reçaku ishte një “gënjeshtër e madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm”, ka “harruar” se raportimin për masakrën e Reçakut e kishte bërë një diplomat amerikan.

Kurse ish diplomati amerikan i cili në vitin 1999 ishte shef i OSBE-së në Kosovë, William Walker, pas deklarimeve të ministrit serb, ka thënë se përpjekja zyrtare e Serbisë për ta prezantuar masakrën e Reçakut si një ngjarje të trilluar, bëhet për arsye se disa zyrtarë aktualë në Beograd ishin të përfshirë në krimet kundër njerëzimit në Kosovë.

“Disa nga njerëzit që sot janë duke e propaganduar [masakrën e Reçakut] si ‘një gënjeshtër të madhe’, kanë qenë në fakt të përfshirë në fshehjen e saj që nga fillimi. Mendoj se presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiç, është shembull shumë i mirë. Ai ka qenë ministër i Informimit në kohën e Sllobodan Millosheviç-it. Ai ka qenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e asaj kohe”, është shprehur Walker.

Për “rolin e rëndësishëm” në fshehjen e krimeve që forcat serbe të sigurisë kanë kryer ndaj popullatës civile në Reçak, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës, përgjegjës është presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.

“Ai ka qenë i përfshirë që nga fillimi në përpjekje për të mbrojtur të pambrojturën, e që është fakti se forcat e sigurisë së Serbisë nuk kanë qenë të përfshira në vetëm atë që ka ndodhur në Reçak, por kanë qenë të përfshira në shumë masakra dhe krime kundër njerëzimit”, thotë Walker.

Institucionet e Kosovës po “flenë”

Institucionet e Kosovës kanë mbetur në “gjumë” prej kohësh kur bëhet fjalë për argumentimin e historisë dhe mbrojtjen e viktimave të luftës së vitit 1998-1999 dhe viktimat e Reçakut.

“Institucionet e Kosovës kanë qenë ato që është dashur të dalin me dokumentar para Serbisë, por primare gjithmonë e kanë pasur sigurimin e karrigeve për vetën e tyre me mendimin që Serbia është duke fjetur sikur këta”, i mbijetuari i masakrës së Reçakut, Ramë Shabani për Albanian Post.

I mbijetuari nga masakra e vitit 1999 në fshatin Reçak të Komunë së Shtimes, Ramë Shabani.

Ai akoma i ka të freskëta të shtënat e para të armëve në këtë fshatë nga paramilitarët serbë.

“Më e 15 janar të vitit 1999, në orët e hershme të mëngjesit, i kam dëgjuar të shtënat e para nga armët e zjarrit. Jemi mbledhur në shtëpia, pa mbrojtje pa asgjë, kam qenë me nënën me babain dhe me vajzën time shtatë vjeçare, por me neve kanë qenë edhe 30 gra me fëmijë, e 29 burra kanë qenë të masakruar”.

Shabani ende më të rëndë e ka pranimin e faktit se Serbia dëshiron të dokumentojë për diçka të cilën e ka bërë me duart e veta.

“Nuk e di si dëshiron Serbia të dokumentoj diçka, kur në këtë masakër ka pasur njerëz pa koka, pa zemër, pa mushkëri, pa gjitha pjesët e trupit, ka pasur pleq fëmijë edhe gra, e sot kemi ende shumë persona të zhdukur”.

Pse Serbia po bën dokumentarin “Dosja e Kosovës?

Më 10 dhjetor, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, ka vizituar ekipin i cili po xhiron filmin për ngjarjet në Reçak të janarit të vitit 1999, si pjesë e serisë së dokumentarëve “Dosja e Kosovës”.

Masakrën në fshatin Reçak apo ndryshe siç e ka quajtur ai “masakra e supozuar” e shqiptarëve e cila shërbeu si shkak në përgjigjen ushtarake të NATO-s në vitin 1999, ishte “një gënjeshtër e madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore