Kosova

SHBA ndan 32 milionë euro shtesë për Kosovën


Nga e majta: Zeinah Salahi, Jeffrey Hovenier dhe Vjosa Osmani

Shteti i Kosovës përfiton 32 milionë euro shtesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku në këtë mënyrë granti total ka arritur vlerën prej mbi 73 milionë euro.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten e 31 marsit, e cila tha se bashkë me drejtoren e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Zeinah Salahi, ka nënshkruar amendamentin e katërt të Marrëveshjes së Grantit për Objektivat Zhvillimore.

“Mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara në Kosovë është dëshmi e përkushtimit të qeverisë dhe popullit amerikan për të përforcuar mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës përmes institucioneve efektive dhe llogaridhënëse. Kosova është e bekuar me aleatët e saj”, ka shkruar Osmani në rrjetin e saj social në Facebook.

Marrëveshja e Grantit për Objektivat Zhvillimore kishte nisur së implementuar në nëntor të vitit 2020, ku Kosova fillimisht kishte përfituar 33 milionë dollarë, ndërsa më vonë u nënshkruan amendamentet e tjera që e ngritën vlerën.

Me këtë marrëveshje synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si dhe rritja e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike.

“Gjithashtu, me të synohet përmirësimi dhe bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve, shoqërisë civile, bizneseve dhe sektorit publik në mënyrë që komunitetet lokale të kenë pozicion më të favorshëm për t`i adresuar sfidat zhvillimore të Kosovës”, thuhej në njoftimin e Presidencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore