Lajme

SHBA-ja dëbon ish-rojen e kampit nazist


Departamenti i Drejtësisë ka njoftuar të shtunën, dëbimin e një 95 vjeçari nga Tennessee, i cili ka punuar si roje në një kamp përqendrimi nazist, gjatë Luftës së Dytë Botërorë.

Sipas njoftimit zyrtar, Friedrich Karl Berger, u dërgua në Gjermani sepse ai ka marrë pjesë në akte persekutimi të sponsorizuara nga nazistët. Ai ka shërbyer se roje i armatosur në sistemin e kampit, Neuengamme pranë Meppen-it, në 1945.

“Largimi i Berger demonstron angazhimin e Departamentit të Drejtësisë dhe partnerëve të tij në zbatimin e ligjit, për të siguruar që Shtetet e Bashkuara të mos jenë një strehë e sigurt për ata që kanë marrë pjesë në krimet naziste kundër njerëzimit”, tha Prokurori i Përgjithshëm i Përgjithshëm, Monty Wilkinson.

Berger, i cili kishte jetuar në SHBA që nga viti 1959, u dërgua jashtë vendit të shtunën dhe sipas rrjetit televiziv BBC, ai ka zbarkuar në Frankfurt.

Dëbimi erdhi pasi një gjykatës, në një gjykim dy-ditor në shkurt,  arriti në përfundimin se të burgosurit në Meppen u mbajtën në kushte “mizore” dhe u shfrytëzuan për punë të detyruar në natyrë, duke punuar “deri në lodhje e vdekje”.

Gjermania dhe kritikat mbi reformën

Në vitet e fundit, Gjermania ka gjykuar dhe dënuar disa ish-anëtarë të kampeve të përqëndrimit dhe ka zgjeruar hetimet e saj për të përfshirë rojet e kampit. Këto të fundit janë akuzuar për bashkëpunim në vrasje. Kjo lëvizje e dizajnuar nga ana e sistemit të drejtësisë, është cilësuar si e vonuar duke marrë parasysh kohën e luftës.

Më herët ajo kërkoi arrestimin e një 95 vjeçareje, që ka shërbyer si sekretare në kampet naziste.

Në korrik të vitit 2020, një gjykatë në Hamburg dha një dënim me dy vite burg me kusht për Bruno Dey. Ai ishte 93 vjeç dhe u dënua për bashkëpunim në mijëra vrasje në kampin e famshëm të Stutthof-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore