Shqipëria

S’është shah, por mundje dore – Alibeaj tërhiqet, për të shtyrë përpara


Zhurma për bashkim të statuteve të PD-së, mori fund sot. Kjo pasi Enkelejd Alibeaj hoqi dorë nga ankimi për sa i përket kësaj pike, por jo për vulën e partisë.

Gjatë kësaj të marte, jo pak zhvillime ndodhën jashtë dhe brenda mureve të Gjykatës.

Fillimisht ishte eksperti ligjor, Indrit Sefa i cili në emër të grupimit Alibeaj para gjyqit për në Apel tha se Partia Demokratike do të paraqesë një kërkesë për heqjen dorë nga ankimi e për pasojë pushimin e gjykimit të kësaj çështje.

Dhe Gjykata i tha po ankimit.

Fill pas kësaj, përmes një deklarate për shtyp, kryedemokrati Sali Berisha tha se Enkelejd Alibeaj është tallur me veten e tij, duke iu referuar si “Alibasha”.

Për të “përgënjeshtruar” fjalën e tij ishte përsëri Sefa, kësaj radhe përmes medias sociale Facebook, ku ravijëzon se “nisur nga fakti se gjykimi lidhur me kuvendin e 18 dhjetorit mund të përdorej si argument ligjor për mos caktim date  nga Apeli, zgjodhëm të heqim dorë”.

Në gjithë këtë zallamahi të krijuar, juristi Jordan Daci ka sqaruar për Albanian Post, se çfarë ndodh më tej me “fatin e PD-së”.

Sipas gjasave, shpjegon ai “kjo është bërë që Alibeaj të vazhdoj të ushtroj detyrën ngaqë burimi i çdo gjëje fillon nga aty”.

Aktualisht, Alibeaj është në krye të Grupit Parlamentar, që pas dorëheqjes nga drejtimi i partisë të Lulzim Bashës.

Herë pas here, e ka përsëritur se ai është përfaqësues i demokratëve.

Daci sqaron se me situatën e re, praktikisht mbeten vetëm vendimet e korrikut, por përjashton ato të 18 dhjetorit.

Kujtojmë se Kuvendi i 18 dhjetorit i Bashës, u finalizua me përjashtimin e Sali Berishës nga organet drejtuese të të djathtëve.

Ndërsa ai i korrikut, lidhej me ndryshime statutore që nisin nga zgjerimi i kryesisë deri tek kuotat gjinore.

Jordan Daci

“Ndërkohë që po gjykohej kjo (17 korriku), e paraqitur për regjistrim pas shtatorit, ata i kanë dërguar Gjykatës edhe një kërkesë shtesë në objekt, pra që të regjistrohen vendimet e 18 dhjetorit”, thotë Daci.

Përpos këtyre, sipas juristit, mbetet çështja e vendimit që ka regjistruar Berisha, por që është bërë ankim nga Alibeaj.

Asokohe, konkretisht më 25 mars të 2022-it, Gjykata e Tiranës regjistroi statutin e Komisionit të Rithemelimit për ndryshimet statutore të miratuara në Kuvendin e mbajtur më 11 dhjetor 2021, nga lideri aktual, Sali Berisha.

Kështu, gjyqtari Agron Zhukri njohu ligjërisht punimet e Kuvendit, për t’u kundërshtuar më pas nga Alibeaj, kërkesë që u pranua nga Apeli.

Dhe, këtu u hap sipari i vërtetë i përballjes ligjore ndërmjet të dyve: Berisha-Alibeaj.

Megjithatë, për Dacin ekziston mundësia se grupi Alibeaj pritet të bëjë kërkesë në vijim për sa i përket 18 dhjetorit, por “kjo nuk ndikon në statutin e PD-së”.

“Se kujt do i jepet të drejtë, ngelet në duart e Apelit”.

Në seancën e radhës, do të kuptohet një herë e mirë se kush ka të drejtën e përdorimit të emrit dhe simboleve të Patisë Demokratike.

Apeli pushon gjykimin për statutin e PD-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore