Lajme

Sërish dështon seanca për vrasjen e trefishtë në Deçan


Foto nga arkivi.

Seanca e cila ishte paraparë të mbahej të martën e 6 qershorit ndaj tre të akuzuarve Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, është anuluar për shkak se Prokuroria akoma nuk ka i ka siguruar mbrojtjes provat e propozuara në aktakuzë.

Lajmin për anulimin e seancës e ka bërë të ditur kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj Rugova, për ‘Betimi për Drejtësi’.

Nuk është hera e parë që kjo seancë ka dështuar të mbahet, edhe më 24 maj kjo seancë kishte dështuar të mbahej.

Në fillim të muajit të kaluar, prokurorja e Shtetit, Sahide Gashi, kishte bërë ditur se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Pejë kundër Kastriot e Kreshnik Mehmetaj për veprën penale si bashkë kryes të vrasjes së rëndë.

Derisa për Malsor Mehmetajn kanë pushuar hetimet meqë Prokuroria “nuk ka arritur që të vërtetojë dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në ndonjë mënyrë në përgatitjen, ndihmë apo zbatimin e aktit të krimit”.

Ai nga fshati Glogjan i Deçanit është shprehur i bindur se vëllezërit e tij Kastrioti, Kreshniku dhe babai Halili të cilët po akuzohen nga Prokuroria e Pejës për vrasjen e trefishtë në vitin 2021 janë të pafajshëm.

Vrasja e trefishtë në Deçan, Mehmetaj: Dorasi s’është nga familja ime, Prokuroria s’ka asnjë provë

Sipas saj, sulmi ka qenë mirë e planifikuar.

Si ndodhi ngjarja?

Mbrëmjen e 26 nëntorit 2021 në Gllogjan, rreth orës 19:00 autobusi që vinte nga Gjakova u sulmua nga një person i maskuar,  derisa të vrarë mbetën ngasësi i autobusit dhe dy nxënës që ndodheshin brenda.

Menjëherë pas ngjarjes, Policia njoftoi se nuk ka arsye për të besuar se sulmi ka motive terroriste.

Disa ditë pas sulmit, Policia e Kosovës nuk posedonte kurrfarë informatash lidhur me të dyshuarit apo të dyshuarin që mund të kishte kryer sulmin.

Ndërsa më 28 nëntor Qeveria e Kosovës bashkë me Policinë ofruan shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që do të jepte informata që do të çonin në arrestimin e autorit apo autorëve të vrasjeve në Komunën e Deçanit.

Raporti i policisë kishte treguar se dyshimet e para ishin se sulmuesi që lëshoi breshëri plumbash, aktin e kreu me një armë të tipit AK-47, apo siç njihet ndryshe si kallashnikov.

Të dhënat e para nga policia ishin se “i dyshuari gjendet në arrati”, kurse “rasti vazhdon në procedurë hetimore”.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Veton Elshani, kishte treguar për Albanian Post se policia ka arsye të besojë se “ka qenë vetëm një sulmues me armë”, porse ka refuzuar që në këtë fazë të flas më shumë për motivet e sulmit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore