Lajme

Dështon seanca për vrasjen e trefishtë në Deçan


Në Gjykatën Themelore të Pejës ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj tre të akuzuarve Kastriot Mehmetaj, Kreshnik Mehmetaj dhe Halil Mehmetaj, të cilët po akuzohen për vrasjen e trefishtë në Gllogjan në vitin 2021.

Ndonëse në seancë ishin prezentë tre të akuzuarit së bashku me mbrojtësit e tyre të cilët kanë kërkuar të shtyhet seanca pasi nuk i posedojnë provat.

Kështu është vendosur që seanca e radhës të mbahet më 6 qershor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fillim të muajit të kaluar, prokurorja e Shtetit, Sahide Gashi, kishte bërë ditur se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Pejë kundër Kastriot e Kreshnik Mehmetaj për veprën penale si bashkë kryes të vrasjes së rëndë.

Derisa për Malsor Mehmetajn kanë pushuar hetimet meqë Prokuroria “nuk ka arritur që të vërtetojë dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në ndonjë mënyrë në përgatitjen, ndihmë apo zbatimin e aktit të krimit”.

Sipas saj, sulmi ka qenë mirë e planifikuar.

Si ndodhi ngjarja?

Mbrëmjen e 26 nëntorit 2021 në Gllogjan, rreth orës 19:00 autobusi që vinte nga Gjakova u sulmua nga një person i maskuar,  derisa të vrarë mbetën ngasësi i autobusit dhe dy nxënës që ndodheshin brenda.

Menjëherë pas ngjarjes, Policia njoftoi se nuk ka arsye për të besuar se sulmi ka motive terroriste.

Disa ditë pas sulmit, Policia e Kosovës nuk posedonte kurrfarë informatash lidhur me të dyshuarit apo të dyshuarin që mund të kishte kryer sulmin.

Ndërsa më 28 nëntor Qeveria e Kosovës bashkë me Policinë ofruan shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që do të jepte informata që do të çonin në arrestimin e autorit apo autorëve të vrasjeve në Komunën e Deçanit.

Raporti i policisë kishte treguar se dyshimet e para ishin se sulmuesi që lëshoi breshëri plumbash, aktin e kreu me një armë të tipit AK-47, apo siç njihet ndryshe si kallashnikov.

Të dhënat e para nga policia ishin se “i dyshuari gjendet në arrati”, kurse “rasti vazhdon në procedurë hetimore”.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Veton Elshani, kishte treguar për Albanian Post se policia ka arsye të besojë se “ka qenë vetëm një sulmues me armë”, porse ka refuzuar që në këtë fazë të flas më shumë për motivet e sulmit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore