Sport

Serie A, momenti i së vërtetës


Inter kampion, Atalanta ka siguruar Champions-in. Benevento, Crotone, Parma marrin pjesë në kategorinë e dytë. Lazio luan në Europa League.

Këto janë pozitat e sigurta në Itali, por çfarë ndodh me vendet tjera.

Milan, Napoli, Juventus. Tre skuadra, dy vende të lira, një qëllim – kualifikimin në Champions.

Dy të parat, thjesht duhet të fitojnë. Juventus, fitore plus shpresë së të paktën njëra nga dy skuadrat tjera lëshojnë pikë.

Milan, në letër kuqezinjtë kanë ndeshjen më të vështirë. Ata udhëtojnë në Bergamo për t’u përballur me Atalanta-n që do të luftojë ta mbajë vendin e dytë.

Pioli nuk ka fituar asnjëherë kundër Atalanta-s në stolin e Milan-it. Në fakt, në tre ndeshje, ai ka humbur dy herë, ka barazuar një, duke pësuar nëntë gola e duke shënuar vetëm një.

Nga 2015-ta, Milan ka fituar vetëm një herë ndaj Atalanta-s, në vitin 2019.

Në këtë ndeshje kuqezinjtë vijnë pa Ibrahimovic-in dhe Gabbia-n, kurse Kovalenko mungon në radhët e skuadrës së Gasperini-t.

Napoli, skuadra e Gattuso-s pret në “Diego Armando Maradona stadium” Verona-n, skuadër kjo që nuk ka fituar asnjë nga pesë ndeshjet e fundit.

Duke parë formën që po kalon Napoli dhe Verona-n pa asnjë objektiv, fitorja duket më shumë se e siguruar për Napoli-n, e cila tenton rikthimin në Champions pas një viti mungesë.

Ghoulam, Koulibaly dhe Lobotka janë mungesat e napoletanëve, kurse Barak dhe Viera mungojnë për mysafirët.

Juventus, skuadër kjo që rrezikon për herë të parë në një dekade pjesëmarrjen në Champions, udhëton në “Renato Dall’Ara” për t’u përballur me Bologna-n.

Forma flet për bardhezinjtë, që luajnë kundër një skuadre e cila ka dështuar të fitojë gjashtë ndeshjet e fundit dhe nuk ka më objektiva.

Bentancur dhe Ramsey mungojnë te skuadra e Pirlo-s, që shpreson që Atalanta ose Verona t’ia zgjasë një dorë ndihme në momentet e fundit.

Kampionet e Inter mbyllin sezonin herët, në orën 15:00, përballë Udinese-s.

Ndeshjet tjera janë:

Sassuolo – Lazio

Spezia – Roma

Torino – Benevento

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore