Sport

Seria A/ Luhet gjithçka për gjithçka


Seria A italiane do të presë gjashtë sfida ditën e diel. 12 ekipe zbresin në fushë me objektiva të ndryshme. Teksa arrin java e 34 edhe objektivat e ekipeve ndryshojë. Luhet për kualifikimin në Ligën e Kampionëve, kualifikimin në Europa Ligë dhe qëndrimin në Serinë A.

Ndeshja hapëse e ditës së diel në Serinë A është midis Lazio-s dhe Genoa-s. Dueli do të luhet duke filluar nga ora 12:30 në “Stadio Olimpico”. Lazio renditet në vendin e gjashtë me 61 pikë, pesë më pak se Napoli dhe Juventus-i që renditen në dy vendet më sipër.

Genoa gjendet në vendin e 13 të Serisë A me 36 pikë. Pesë pikë më shumë se Benevento e vendit të 18 kanë miqtë, vend i cili të rrëzon në Serinë B, në fund të sezonit.

Ndeshja e fazës së parë mes dy ekipeve, ka përfunduar me rezultatin 1-1.

Duke filluar nga ora 15:00, do të luhen tre sfida. Në “Renato Dall’Ara” Bologna do të presë Fiorentina-n. Vendasit renditen të 12 me 38 pikë, kundrejt vendit të 14 dhe 34 pikëve që ka Fiore. Të dy ekipet janë të rrezikuara për të rënë nga kategoria në fund të sezonit.

Përballja e fundit mes tyre, e luajtur përgjatë fazës së parë të Serisë A, përfundoi me rrjeta të paprekura.

“Stadio Diego Armando Maradona” do të mirëpresë përballjen mes Napoli-t dhe Cagliari-t. Vendasit renditen të katërtit me 66 pikë, po aq sa edhe Juventus-i i vendit të pestë dhe garojnë për një vend për në Ligën e Kampionëve. Miqtë renditen në vendin e 17 me 31 pikë, po aq sa edhe Benevento e vendit të 18.

Përballja e fundit mes dy ekipeve, e luajtur në fazën e parë të Serisë A përfundoi me rezultatin 1-4 për Napoli-n.

Superndeshja e orës 15:00 në Serinë A do të luhet në “Mapei Stadium”, ku Sassuolo do të presë Atalanta-n. Vendasit renditen në vendin e tetë me 52 pikë, tre pikë larg Roma-s që mban vendin e fundit (7) që të dërgon në Ligën e Europës.

Atalanta renditet në vendin e tretë me 68 pikë. Miqtë janë nga ato ekipe që rrezikojnë vendin për në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm nëse humbasin ndeshjen.

Përballja e fundit mes dy ekipeve, e luajtur përgjatë fazës së parë përfundoi me rezultatin 5-1 për Atalanta-n.

Duke filluar nga ora 18:00 në “Dacia Arena”, Udinese do të presë Juventus-in. Në vendin e 11 renditet Udinese, që ka grumbulluar 39 pikë. Juventus-i renditet në vendin e pestë me 66 pikë, po aq sa Napoli i vendit të katërt, dy pikë më pak se Atalanta e vendit të tretë dhe tre pikë më pak se Milan-i i vendit të dytë.

Përballja e fundit mes dy ekipeve, e luajtur përgjatë fazës së parë të Serisë A, ka përfunduar me rezultatin 4-1 për Juventus-in.

Ndeshja e fundit e ditës së diel në Serinë A do të luhet në “Luigi Ferraris” duke filluar nga ora 20:45, ku Sampdoria vendase do të presë Roma-n.

Vendasit renditen në vendin e nëntë me 42 pikë, ndërsa miqtë në vendin e shtatë me 55 pikë. Përballja e fundit mes dy ekipeve, e luajtur përgjatë fazës së parë të këtij kampionati ka përfunduar me rezultatin 1-0 për Roma-n.

Ndeshja që do përmbyllë javën e 34 në Serinë A është ajo midis Torino-s dhe Parma-s, ndeshje që do të luhet ditën e hënë, duke filluar nga ora 20:45 në “Stadio Olimpico Grande Torino”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore