Lajme

Serbia s’e respektoi marrëveshjen për Elektroseverin, çfarë tani?


Kompania serbe Elektrosever as pas 100 ditëve nuk po i respekton afatet e pajtuara me udhërrëfyesin për implementimin e marrëveshjes për energjinë, të arritur në Bruksel në qershor të këtij viti, mes Kosovës dhe Serbisë.

Për këtë, Zyra e Rregullatorit të Energjisë po e shqyrton mundësinë që t’ia tërheqë lincencën kompanisë që synon ta faturojë energjinë elektrike në komunat e Veriut të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, thotë për Albanian Post se në marrëveshje është e specifikuar shumë qartë, “në rast se këto pika brenda 100 ditëve nuk plotësohen, do të duhet t’i tërhiqet licenca kompanisë”.

Megjithatë, për të ndodhur kjo, ai tregon se duhet të njoftohet edhe ndërmjetësuesi.

“Në këtë rast duhet të njoftohet Bashkimi Evropian për mos implementimin e pikave, pastaj ZRRE do të merr masa për tërheqjen e licencës. Ne e kemi për obligim për ta njoftuar zotëri Besnik Bislimin si kryenegociator, i cili e ka njoftuar ekipin e Miroslav Lajçakut”, shtoi ai.

Fejzullahu, shton se brenda një periudhe do të marrin hapa konform marrëveshjes.

Por, ai shton se afati mund të shtyhet vetëm me dakordimin e palëve.

“Në rast se ndërmjetësuesi kërkon që me ua dhënë edhe një kohë shtesë kompanisë serbe, ndoshta mund të shtyhet pasi që është një proces politik”, thekson kreu i bordit të ZRRE-së.

“Društvo Elektrosever D.O.O.” – kompania serbe që pritej të futet në Kosovë

Bëhet fjalë për kompaninë “Društvo Elektrosever D.O.O.”.

“Društvo Elektrosever D.O.O.” tashmë e regjistruar në Agjencionin e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës. Pronare e vetme e kësaj kompanie është “JP Elektroprivreda Srbije Beograd”, kompania shtetërore e Energjisë Elektrike në Serbi.

Në faqen e vet zyrtare “Elektroprivreda Srbije” shkruan se është “një kompani e organizuar vertikalisht, e cila ka të drejta themeluese në dy filiale dhe tri ndërmarrje publike në Kosovë”. Me afër 29 mijë punëtorë “Elektroprivreda Srbije” është kompania më e madhe në Serbi, në të gjitha llojet e industrive.

Certifikata e kësaj kompanie e regjistruar në ARBK thotë se aktivitet primar kjo kompani ka “Tregtinë e energjisë elektrike” dhe vetëm si aktivitet sekondar është dhënë “riparimi i pajisjeve elektrike”.

Arrihet marrëveshja për Energjinë në Bruksel

Më 21 qershor, i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, përmes një njoftimi në rrjetin e tij social në Twtiter, pati lajmëruar se marrëveshja për energjinë në mes të Kosovës dhe Serbisë, është arritur.

“Me kënaqësi ju njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak.

Marrëveshja e nënshkruar në mes të Kosovës dhe Serbisë në sektorin e energjisë thotë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë do t’i lëshojë një licencë furnizimi Elektrosever, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

“Brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do t’i sigurojë KEDS-it dhe KOSST-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët”, thuhej në pikën e dytë të marrëveshjes së arritur.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Ablin Kurti, pati thënë se po bëjnë gjithçka që është e mundur për ta zgjidhur më mirë dhe më shpejt këtë problem. Por, siç kuptohet tashmë nga mosrespektimi i afateve, asgjë nuk është zgjidhur – aq më pak, shpejt e mirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore