Kosova

Arrihet marrëveshja për Energjinë në Bruksel


I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, përmes një njoftimi në rrjetin e tij social në Twtiter, ka lajmëruar se marrëveshja për energjinë në mes të Kosovës dhe Serbisë, është arritur.

“Me kënaqësi ju njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak.

Marrëveshja e nënshkruar sot në mes të Kosovës dhe Serbisë në sektorin e energjisë thotë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë do t’i lëshojë një licencë furnizimi Elektrosever, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

“Brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do t’i sigurojë KEDS-it dhe KOSST-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët”, thuhet në pikën e dytë të marrëveshjes së arritur.

Në anën tjetër Elektrosever, bazuar në marrëveshjen në fjalë është detyruar që brenda 10 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun energjetik të Kosovës, gjegjësisht marrëveshjen kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, marrëveshjen mbi detyrimin e bilancit me KOSTT-in, marrëveshjen e kyçjes me KEDS-in dhe marrëveshjen komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të shpërndarjes (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe lidhja fizike e konsumatorëve të rinj) në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të artikullit 5 të Marëveshjes së 2013-s.

“Brenda 15 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjeve të nevojshme teknike me KOSTT-in, Elektroseveri do të marrë një kod identifikimi të energjisë (EIC) për të kryer aktivitetet e parashikuara nga furnizimi me licensë”, thuhet në pikën tjetër të marrëveshjes.

Njëra ndër pikat e marrëveshjes për energji thotë se në përputhje me pikën 14 të Marrëveshjes energjetike të vitit 2015, në afat prej 30 ditësh nga dhënia e licencës për furnizim, KEDS dhe KOSTT (nën lehtësimin e BE-së) do të kenë qasje në nënstacionin e Vallaq si dhe në infrastrukturat tjera të transmisionit dhe distribucionit.

Marrëveshja më tej detyron KOSTT dhe KEDS që brenda 45 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, pas konsultimit me Elektrosever, t’i dorëzojnë ZRRE-së planin e investimeve, koston e kërkuar të mirëmbajtjes dhe humbjet e rrjetit, bazuar në shqyrtimin e plotë të infrastrukturës ekzistuese.

“Brenda 21 ditëve pas paraqitjes së planit të investimit dhe shpenzimeve të mirëmbajtjes së kërkuar për humbjet e rrjetit, ZRRE do të miratojë në parim planet, kostot dhe humbjet”, detyron pika e 7 e marrëveshjes.

Ujdia për energji e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, këtë të martë të 21 qershorit, njofton se në rast të mospërputhjes me dispozitat e këtyre konkluzioneve të rëna dakord pas 100 ditësh nga lëshimi i licencës së furnizimit, ZRRE mund të vendosë të pezullojë ose të tërheqë licencën e furnizimit të dhënë për Eletrosever, në varësi të konsultimit ndërmjet palëve, të lehtësuar nga BE-je, gjatë një periudhe maksimale prej 15 ditësh.

“Zbatimi i suksesshëm i udhërrëfyesit të rënë dakord është pa paragjykim ndaj detyrimeve të palëve për të zbatuar plotësisht Marrëveshjet e Energjisë nga 2013 dhe 2015”, konkludon marrëveshja.

Për arritjen e marrëveshjes ka shkruar edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

“Më në fund kemi adoptuar implementimin për Marrëveshjen për Energjinë që buron nga 2013 dhe 2015. Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat Veriore të Kosovës, nën ligjet e Kosovës dhe sistemin rregullator”, ka shkruar ai në Twitter.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore