Lajme

“Serbia ishte pajtuar të jap të dhënat, të nis procedurat penale dhe të kompensojë familjet” – Manaj për Albanain Post: Po mos të rrëzohej Qeveria Hoti çështja e të pagjeturve do zgjidhej para dy vjetësh


Sikur të mos rrezohej qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti nga Gjykata Kushtetuese në dhjetor të vitit 2020, çështja e të zhdukurve me dhunë/pagjeturve do zgjidhej qysh atëherë, ka deklaruar për Albanian Post ish-kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Ramë Manaj, në ditën kur në Bruksel Kosova dhe Serbia pritet të arrijnë një dakordancë përfundimtare për këtë çështje.

“Sa kam qenë unë kryetar i komisionit dhe kryeministër Avdullah Hoti, marrëveshja ka qenë në prag të nënshkrimit”, tregon Manaj teksa i liston tri elementet e marrëveshjes që mendoj të arrihej me Serbinë.

“I pari ka qenë brenda 9 ose 11 muajve duhet të jepen të gjitha të dhënat për numrin e përgjithshëm të pagjeturve. E dyta ka qenë inicimi i procedurave penale për përgjegjësit dhe shtylla e tretë e marrëveshjes ishte që të bëhen kompensimet e familjarëve të të zhdukurve”, tha Manaj.

Madje për këto pika sipas Manajt, ishte pajtuar edhe pala serbe, por potencon se mbetën pa e finalizuar meqë “nuk ka arritur të nënshkruhet”.

“Ndodhi si ndodhi, ra qeveria”, deklaroi Manaj.

Kur pyetet për marrëveshjen eventuale mes Kosovës dhe Serbisë, siç është paralajmëruar për këtë të marte në takimin e radhës me kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ai thekson se nuk ka njohuri.

“Unë nuk mund ta di se çfarë do të ndodh, sepse ende nuk i di elementet e marrëveshjes eventuale për çështjen e të pagjeturve”.

A u hoq termi “të zhdukur me dhunë” nga “Marrëveshja për të Pagjeturit”? – Petkoviç thotë se “Po”, Hoti “Jo”

Ish-zëvendëskryeministri Manaj ka folur edhe për termin “personat e zhdukur me dhunë”, teksa ka shtuar se “çështjen e konceptit të zhdukur me dhunë e rregullon Konventa e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe e definon se çka nënkupton zhdukjen me dhunë dhe cilat janë përgjegjësit e përfaqësueseve të shtetit që e bëjnë zhdukjen me dhunë”.

“Por, problemi është se në luftë apriori, kuptohet se nuk ka të zhdukur pa dhunë. Megjithatë nëse arrihet të futet termi të zhdukur me dhunë mendoj se reflekton në mundësin e kompensimit dhe të ngritjes së përgjegjësive të atyre që i kanë zhdukur me dhunë. Por, kjo është krejt hipotetike, mbetet ta shohim se çfarë do përmbajë marrëveshja e cila pritet të nënshkruhet sot”, potencoi Manaj.

Ndërsa për kritikat e familjarëve të të pagjeturve karshi qeverisë aktuale se nuk po bën gjë për të pagjeturit, Manaj thotë se gjatë dy viteve të kësaj qeverie “ka pasur ngecje”.

“Familjarët kanë të drejt të bëjnë ankesa, e vërteta është se me ardhjen e kësaj qeverie është ndërprerë bashkëpunimi i Komisionit Qeveritar të Kosovës me atë të Serbisë, sepse kryeministri Kurti ka kërkuar që të ndërrohet kryetari i Komisionit Qeveritar të Serbisë, Velko Odaloviç. Problemi është se a ka pas efekt pozitiv apo negativ, mendoj që ka pas efekt negativ, ani pse nuk i amnistoi të bëmat e Odalivoiçit, për dy vite ka ngec procesi”.

Qerkini: Të pagjeturit përmenden vetëm një herë në planin evropian – kërkojmë të jetë një pikë e veçantë

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur/zhdukur me dhunë vazhdojnë të jenë edhe rreth 1 mijë e 630 persona, kryesisht shqiptarë.

Në luftën e fundit në Kosovë sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona. Shumica prej të vrarëve janë civilë shqiptarë.

Nga viti 2000 e deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa që nga viti 2008 Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) është përgjegjës për hetimin e krimeve të luftës.

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dokumentet në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore