Lajme

Qerkini: Të pagjeturit përmenden vetëm një herë në planin evropian – kërkojmë të jetë një pikë e veçantë


Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini, ka shprehur pakënaqësinë që personat e pagjetur vetëm një herë përmenden në propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Qerkini thotë për Ekonomia Online se nuk janë kundër dialogut, por duan që çështja e të pagjeturve të trajtohet me seriozitet, sipas konventave ndërkombëtare.

“Shumë pak gjëra po merren vesh se çka është duke ndodhur në bisedime në Bruksel”, tha Qerkini.

“Ne si familjarë nuk jemi për t’u ngrirë dialogu, por jemi që të jetë një pikë e veçantë për persona të pagjetur dhe të jetë humane, se punët politike të cilat i kanë paraparë në këto 11 pika kanë do vazhdojnë me vite e vite, se janë punë politike”, shtoi ai.

Qerkini, i cili e ka ende të pagjetur djalin që nga lufta e vitit 1999, kërkon që termi i “zhdukur” të largohet dhe të përdoret “i marrë me dhunë”.

“Në prill bëhen dy vite që nuk është mbajtur premtimi për persona të pagjetur, as dialog për persona të pagjetur. Ku është faji, a është faji te ndërkombëtarët apo tek ne vetë si shtet, apo njerëzit që janë duke e udhëhequr dialogun. 90 për qind ne i kemi fajet, nuk mund të premtojmë diçka kur nuk jemi të zotë të realizojmë”.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1 mijë e 630 persona, kryesisht shqiptarë.

Në luftën e fundit në Kosovë sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona. Shumica prej të vrarëve janë civilë shqiptarë.

Nga viti 2000 e deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa që nga viti 2008 Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) është përgjegjës për hetimin e krimeve të luftës.

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dokumentet në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore