Kosova

Serbia fillon ndërtimin e Universitetit paralel të Prishtinës, në Mitrovicë


Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç

Serbia ka filluar ndërtimin e objektit “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”,  investimi i të cilës është në mbi 6 milionë euro e që do të bëhet nga qeveria serbe.

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, hodhi gurthemelin për ndërtimin e këtij Universiteti në Mitrovicën Veriore.

“Ky është gurthemel i harmonisë unitetit të popullit tonë në Kosovë, dhe për këtë sot ne jemi të bashkuar siç ishim dhe do të jemi: edhe Lista Serbe ashtu edhe Universiteti ynë dhe shteti i Serbisë. Populli ynë ka të ardhme vetëm përmes këtij uniteti, siç e ka thënë edhe presidenti Vuçiç”, tha Petkoviç.

Ai theksoi se “10 mijë studentë, profesorë, por edhe qyteti i Mitrovicës e kanë pritur këtë ditë për 22 vjet”.

Ndërkaq, theksoi se i gjithë projekti, që shkon përtej universitetit, ka vlerë prej 720 milionë dollarë dhe se shteti i Serbisë ka buxhet për të ndërtuar këtë objekt, për të cilin konsideron se do të jetë ‘objekt madhështor për krenarinë e çdo banori të Mitrovicës së Kosovës’”.

Po ashtu, rektori i Univestitetit të Prishtinës, Zdravko Vitoseviç, tha që arsimi është themeli i qëndrimit dhe mbijetesës së popullit serb në Kosovë.

“Me ndërtimin e kësaj ndërtese, shteti i Serbisë do të ofrojë mundësinë për të studiuar për këdo që dëshiron të studiojë në një nga fakultetet e UP. Më shumë se 10 mijë të rinj do të arsimohen në 96 programe studimi dhe dhjetë nga fakultetet tona me gjithçka që shteti i Serbisë bën për njerëzit tanë në këtë fushë duhet të jetë një nga shtyllat themelore të arsimit”, tha Vitoseviç.

Gjithashtu deklaroi se “vetëm në mandatin e parë të këtij viti, dhjetë për qind më shumë studentë ishin regjistruar se vitin e kaluar”.

Presidenti i Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Mitrovicës, Aleksandar Spiriç, e konsideroi këtë si një dëshmi tjetër të mbështetjes së shtetit të Serbisë për njerëzit në Kosovë.

“Deri vonë, këtu ishte një shkollë që lindi emra të mëdhenj, mjekë, shkencëtarë dhe ekspertë të cilët sot njihen në të gjithë botën. Një shtyllë tjetër e rëndësishme, shtylla e edukimit të popullit serb në Kosovë dhe Metohi, ishte ndërtuar nga fondacionet” tha Spiriç.

Kjo ndërtesë do të ketë 10 mijë e 575 metra katrorë, me kapacitet për pranimin e deri në 10 mijë studentë ndërsa në kuadër të këtij universiteti do të funksionojnë: Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Matematikës, Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti Ekonomik.

Mitrovica e Veriut është komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku autoritetet serbe kanë zhvendosur, siç e quajnë ata, Universitetin e Prishtinës, pas përfundimit të luftës në vitin 1999. Studimet aty zhvillohen sipas plan-programit të Republikës së Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore