Lajme

Serbia e Rusia duan luftë kundër Kosovës e NATO-s – këtë herë luftë dezinformatash, sipas ekspertëve amerikanë


Ilustrim

Nuk është sekret që Rusia udhëheq një fushatë dezinformimi kundër kombeve ballkanike dhe bashkësisë perëndimore, në mënyrë që të zgjerojë fushëveprimin dhe të shtrijë ndikimin në Ballkanin Perëndimor, por edhe të krijojë kushte që në pushtet të vijnë forcat pro-ruse dhe kështu të nxisë trazira që do të prodhojnë destabilizimin e mëtejmë të rajonit.

Mark Montgomery dhe Ivana Stradner nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive (FDD), në një artikull të përbashkët mbi zhvillimet e fundit në rajon, konsideruan se Rusia dhe Serbia kanë nisur një fushatë dezinformimi kundër Kosovës, posaçërisht në 25-vjetorin e fillimit të sulmeve ajrore të aleatëve të NATO-s kundër ish-Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ).

“Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, karakterizoi ndërhyrjen e NATO-s si një akt ‘agresioni’ dhe ‘egërsie’. Moska dhe Beogradi akuzojnë NATO-n se ka mbushur fushën e betejës me municione që përmbajnë uranium të varfëruar, për të cilin ata pretendojnë – pa prova shkencore – ka kontribuar në një rritje të shkallës së kancerit”, kujtojnë ekspertët amerikanë.

Ndërhyrja humanitare në Kosovë konsiderohet një ndër sukseset më të rëndësishme të NATO-s, përkundër se përbente rastin e parë në histori që aleanca ndërmerrte një veprim ushtarak në territorin evropian. Wesley Clark, gjenerali amerikan dhe komandanti i përgjithshëm i forcave evropiane të NATO-s, udhëhoqi sulmet ajrore që zgjatën plot 78 ditë.

Megjithatë, përfshirja e NATO-s në vitin 1999 shkaktoi një debat të madh ndërkombëtar dhe një ndarje ndërjmet fuqive të mëdha perëndimore dhe Rusisë. Nëse NATO mund të ndërhyjë në RFJ për arsye humanitare, argumentuan rusët, ata gjithashtu mund ta ndjekin këtë rrugë në Ukrainë. Prandaj, sipas ekspertëve, duhet të luftohet fushata dezinformuese ruse.

“Përgënjeshtrimet standarde perëndimore nuk rezonojnë me audiencën pro-ruse apo pro-serbe. Por mesazhet e tjera mund të fitojnë shumë tërheqje. Arritja e serbëve të zakonshëm është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur Moska dhe Beogradi po nxisin tensionet etnike midis Serbisë dhe Kosovës dhe gjetkë në Ballkanin Perëndimor”, deklaruan ata.

“Mesazhet perëndimore duhet t’ua kujtojnë serbëve pro-rusë se historia tregon se Rusia është një aleate jo e besueshme. Pavarësisht premtimeve të Rusisë për mbështetje vëllazërore dhe përpjekjeve për ta shtyrë Serbinë në një konflikt të ri me Kosovën dhe NATO-n, ajo në fakt nuk ka gjasa ta ndihmojë shumë Beogradin”, shtuan ndër të tjera ekspertët.

Ndryshe, për shumë vëzhgues të huaj, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte, tani rreziku i ripërshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor të rrethuar nga armiqësitë etnike.

Në raportin e përvjetshëm të vlerësimit të kërcënimeve globale të sigurisë, komuniteti i inteligjencës amerikane paralajmëroi ngritje të nivelit të rrezikut nga përshkallëzimi i mëtejmë i dhunës në Ballkanin Perëndimor përgjatë vitit 2024, derisa u përmenden tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në pjesën veriore të Kosovës që karakterizuan rajonin në 2023.

Rruga e SHBA-ve deri në bombardimin e Serbisë që lëndoi “nderin” evropian

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore