Lajme

Serbia deklaron se ushtria e saj nuk ka kaluar kufirin e Kosovës


Ministria serbe e Mbrojtjes ka bërë një deklaratë urgjente duke thënë se ushtria serbe “nuk ka hyrë në territorin e Kosovës në asnjë mënyrë”.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi “N1”.

“Ministria e Mbrojtjes njofton se për momentin ushtria serbe nuk e ka kaluar vijën administrative dhe në asnjë mënyrë nuk ka hyrë në territorin e Kosovës”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë.

Kujtojmë se në veri të Kosovës, serbët kanë ndërtuar barrikada, duke protestuar kundër vendimit të Prishtinës zyrtare për të riregjistruar veturat dhe targat e tyre.

Mediat raportuan edhe për sirena dhe të shtëna me armë zjarri të pakonfirmuara zyrtarisht në të paktën dy qytete në veri të Kosovës.

Më vonë u bë e ditur se Policia e Kosovës ka marrë nën kontroll dy pika kufitare (Jarinje dhe Bërnjak) me Serbinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore