Lajme

Senatorja Shaheen për vizitën në Ballkanin Perëndimor: Do sigurojmë aleatët se SHBA-ja mbështet aspiratat demokratike


Senatorja Jeanne Shaheen dhe senatori Peter Welch.

Senatorja Jeanne Shaheen, për vizitën të cilën do e zhvillojë së bashku me senatorin Peter Welch në Ballkanin Perëndimor, ka thënë se arsye e vizitës është që aleatët e tyre të sigurohen se janë të angazhuar për të mbështetur aspiratat demokratike të kombeve të tyre.

Përmes një shkrimi në platformën ‘X’, ajo ka theksuar se do të zhvillojë “biseda thelbësore” me drejtues dhe zyrtarë lokalë.

“Bashkë me Peter Welch do të sigurojmë aleatët tanë se SHBA-ja është e angazhuar në mënyrë aktive dhe mbështet aspiratat demokratike të kombeve të tyre”.

“Pres me padurim që të kem biseda thelbësore me drejtues dhe zyrtarë lokalë gjatë gjithë vizitës”, ka shkruar ajo.

Shaheen dhe Welch, të premten do të takohen me presidentin e Kosovës, Vjosa Osmani e po ashtu edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Për të dyja takimet është bërë e ditur përmes komunikatave të lëshuar nga institucionet.

Vizita e senatores Shaheen nuk është e para në Kosovë. Në prill të vitit 2021, së bashku me homologët e saj, Chris Murphy dhe Thom Tillis, ajo kishte qëndruar në Prishtinë në kuadër të një vizite në vendet e Ballkanit Perëndimor pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë në shkurt të atij viti.

Senatorët vijnë në një kohë kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë ngritur në nivele shpërthyese, posaçërisht pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në fund të shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

Ligjvënësit amerikanë kanë qenë shumë aktivë edhe nëpërmjet lidhjeve telefonike dhe letrave dërguar autoriteteve kosovare dhe serbe për nevojën e de-përshkallëzimit të situatës dhe zbatimin e marrëveshjeve që palët kanë marrë përsipër, veçanërisht në fundit të shkurtit në Bruksel dhe në mes të marsit në Ohër, përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore