Lajme

Senatorja amerikane: Mirëpresim aspiratat e Kosovës për të qenë pjesë e NATO-s


Senatorja amerikane Jeanne Shaheen

Senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, në një konferencë të përbashkët për media pas takimit me Presidente e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënvizuar faktin se senati e mbështet rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe atë të Bashkimit Evropian.

Për senatoren është e rëndësishme mbështetja e Kosovës.

Shaheen, ka bërë të ditur se gjatë ditës së enjte së bashku edhe me senatorët e tjerë kanë vizituar kampin Bondsteel, për t’u njoftuar nga afër me situatën e sigurisë në vend e më gjerë.

“Jemi këtu si pjesë e miqësisë që kanë SHBA-ja dhe Kosova sepse i kemi vlerat e përbashkëta. E vlerësojmë përkushtimin e këtij vendit dhe i mirëpresim aspiratat e Kosovës për të qenë pjesë e NATO-s”.

“Po ashtu përkrahim aspiratat për të lëvizur drejtë partneritetit tuaj me BE-në. Ne i ndajmë edhe shqetësimet e juaja për vendin dhe rajonin në kohën e tanishme që jemi. Për këtë arsye shkuam në kampin Bondsteel për t’u njoftuar nga afër me situatën nga ushtarët amerikanë, është e rëndësishme që të ruhet siguria e vendit dhe rajonit”, ka thënë Shaheen.

Vjosa Osmani në konferencën e përbashkët me Jeanne Shaheen

Në anën tjetër, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët me senatoren Jeanne Shaheen, ka potencuar se kontinenti evropian është nën kërcënim të destabilizimit nga Rusia.

Ajo madje ka bërë të ditur se ka informuar senatorët për rolin destruktiv që Serbia po vazhdon ta luaj në Ballkan si aleat i Rusisë.

“Nuk është sekret që rendi I sigurisë brenda kontinentit evropian është nën kërcënim. Ka pasur dhe vazhdon të ketë një interesim serioz nga Rusia që ta destabilizojë kontinentin dhe rajonin tonë”, ka thënë Osmani.

Osmani, ka theksuar më tej se beson fuqishëm në bashkëpunimin me SHBA-të në atë mënyrë që të ndalohet ndikimi malinj i Rusisë.

“E para sepse ky është vullnet i popullit të Kosovës, si populli më pro amerikan dhe pro-NATO në botë. E dyta kam besim të plotë se kemi treguar deri më tani se kur punojmë së bashku me SHBA-të mund të arrijmë gjithçka”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore