Kosova

Senatori amerikan: Kosova mund të vë në jetë një shkallë të kufizuar të vetëqeverisjes për serbët


Chris Murphy dhe Albin Kurti

Senatori amerikan nga radhët e demokratëve, Chris Murphy, i cili është një ndër hartuesit kryesor të politikave amerikane rreth Ballkanit Perëndimor, si në administratën e Donald Trump ashtë edhe në atë të Joe Biden, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka thënë se “Kosova mund të vërë në jetë një shkallë të kufizuar të vetëqeverisjes për komunat me shumicë serbe në Kosovë”, bazuar në neni 7 të Marrëveshjes së arritur fillimisht në Bruksel e më pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe nga Murphy, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në intervista të ndryshme e në Kuvendin e Kosovës, kishte garantuar se Neni 7 i Marrëveshjes, i cili flet për një sigurim të një niveli të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, nuk përmban kurrfarë autonomie e as vetë-qeverisje për serbët, pasi sipas tij, në Kosovë nuk mund të ketë supe-minoritete e as njerëz të privilegjuar në bazë të përkatësisë etnike.

Megjithatë, senatori amerikan ka bërë të ditur se vetëqeverisja duhet të ndodh në atë mënyrë që nuk e copëton strukturën e vendit.

“Mendoj se sigurisht që ka një mënyrë që Kosova të vërë në jetë një shkallë të kufizuar të vetëqeverisjes për ato që janë komunat me shumicë serbe dhe ta bëjë këtë në një mënyrë që nuk e copëton strukturën e vendit. Ky është një zotim që është bërë në Bruksel dhe që Kosova duhet ta bëjë si duhet. Më vjen mirë që kjo është pjesë e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Murphy për Zërin e Amerikës

Senatori amerikan më tej ka dhënë garanca se askush nga komuniteti ndërkombëtar nuk po dëshiron një tip të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i cili do të ishte i njëjtë si Republika Srpska në Bosnje e Hercegovinë.

“Unë kam biseduar me zotin Kurti në disa raste dhe i kam shpjeguar se në Shtetet e Bashkuara, kemi një qeveri të fortë federale. Ne kemi një ndjenjë të fortë të patriotizmit amerikan, por kemi gjithashtu qeveri të forta shtetërore. Ne gjithashtu u kemi dhënë mundësinë njerëzve në Oklahoma dhe Connecticut për të krijuar një të ardhme për veten e tyre”, ka shtuar ai.

Nga “arrogant” e “kokëfortë” deri te “my friend” – Historia prapa raportit të Chris Murphy’t me Albin Kurtin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore