Lajme

Kurti garanton se s’ka autonomi për serbët: Në Kosovë s’mund të ketë super-minoritete


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për mediumin shqiptar, Top Channel, dy ditë pas vizitës së tij në Tiranë, ka garantuar se Marrëveshja e dakordësuar fillimisht në Bruksel e më pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut, nuk përmban kurrfarë autonomie për serbët në Kosovë.

Shumë njohës të së Drejtës Ndërkombëtare argumentuan se Neni 7 i Marrëveshjes, i cili flet për një sigurim të një niveli të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, sjellë një autonomi për serbët.

Por, për Kurtin për një gjë të tillë as që bëhet fjalë, pasi sipas tij, në Kosovë nuk mund të ketë super-minoritete e as njerëz të privilegjuar në bazë të përkatësisë etnike.

“Askund nuk ka kurrfarë autonomie për serbët lokal në Kosovë, ata janë qytetarët të Republikës së Kosovës, unë jam kryeministër edhe i atyre, në nenin 7 flitet për vetëmenaxhim të komunitetit serb në një nivel adekuat vetë-menaxhimi kjo do të thotë se kemi referencë marrëveshjen kornizë të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare”.

Sipas tij Marrëveshja në fjalë nuk fletë për vetë-administrim as për vetë-qeverisja, por ka njohje de facto ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Unë nuk jam për të diskriminuar, shtypur, shfrytëzuar apo margjinalizuar serbët. Nuk mund të kemi super-minoritet në Kosovë, nuk mund të kemi njerëz të privilegjuar në bazë të përkatësisë etnike apo religjioze, sepse privilegji për dikë bëhet diskriminim për dikë tjetër”.

“Andaj unë ju garantojë që nuk do të ketë kurrfarë solucionesh jo-transparente e që minojnë kushtetutshmërinë tonë dhe rendin republikanë e demokratik”.

Kurti tregon pse vizitoi Tiranën: Ka shumë moskuptime, keqkuptime, keqinterpretime të Marrëveshjes

Shefi i Qeverisë në këtë intervistë ka treguar edhe për qëllimin e vizitës së tij në Shqipëri dhe çështjet e diskutuara me krerët e shtetit në Tiranë, përfshirë presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama dhe kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Sipas Kurtit, këto takime i kanë shërbyer atij për të treguar se çfarë po ndodh me qeverisjen e Kosovës dhe për të diskutuar mbi çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, veçanërisht për takimin e 18 Marsit në Ohër ku arrit një pajtim për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar më 27 shkurt për normalizimin e raporteve, meqenëse ai vlerëson se për këtë proces ka shumë moskuptime, keqkuptime dhe keqinterpretime.

“Unë takova tre krerët e institucioneve. Qëllimi im ishte që në gjysmë të mandatit të vij dhe të takohem me krerët e shtetit shqiptar ashtu që t’i njoftoj pak se ku ndodhet qeverisja jonë, por sidomos t’i njoftoj ata për procesin e dialogut me Serbinë për marrëveshjen e normalizimit që kemi arritur edhe në Bruksel më 27 shkurt edhe në Ohër më 18 mars”, ka thënë fillimisht ai.

“Meqenëse ka shumë moskuptime, keqkuptime, keqinterpretime dhe desha që nga dora e parë të njoftohen për ecurinë e procesit negociator dhe për elementët përmbajtsore të kësaj marrëveshje e cila është një arritje e madhe për normalizim të marrëdhënieve që nënkupton se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mos jenë normale, paçka se Kosova është vend normal e demokratik”.

Kurti duke komentuar takimin e 18 marsit në Ohër, ka bërë të ditur se pala kosovare ka qenë e gatshme të nënshkruaj Marrëveshjen për normalizimin e raporteve, por pala tjetër ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë.

“Qysh dje po të varej prej meje do të kishim një Marrëveshje, por është e qartë se pala e cila nuk është konstruktive, pala e cila është agresive, ajo e cila nuk distancohet as nga e kaluara pra Millosheviçi, as nga e tashmja problematike për kontinentin tonë, pra Kremlini e Putini është Beogradi zyrtar”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore