Lajme

Senatorët amerikanë takojnë Zelenskyn në Kiev


Presidenti amerikan, Joe Biden, ende nuk po e merr vendimin e shumëpritur për të vizituar Kievin dhe për të shprehur mbështetjen e hapur ndaj homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, në person, mirëpo një delegacion i senatorëve amerikanë kanë mbërritur në kryeqytetin e Ukrainës pikërisht për të shprehur këtë mbështetje.

Të kryesuar nga shefi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, politikanët amerikanë e kanë takuar Zelenskyn dhe e kanë thënë qartë se SHBA-të, e kanë primare mbështetjen për Ukrainën në këtë çast të historisë botërore.

Vetë Zelensky, postoi një video në median e tij sociale Instagram, ku duken politikanët amerikë teksa e takojnë atë.

“Ky është një sinjal i fortë për mbështetjen bipartizane të Ukrainës nga ana e Kongresit amerikan dhe populli amerikan”, shkruan Zelensky në Twitter. “Faleminderit për lidershipin tuaj dhe për ndihmën që na keni dhënë në mbrojtjen e vendit tonë, por edhe të vlerave dhe lirive demokratike”.

 

Përveç McConnell, të pranishëm janë edhe senatorët Susan Collins, John Barrasso dhe John Cornyn.

Mirëpo, në politikën e brendshme amerikane, ndihma ndaj Ukrainës nuk është kaq bipartizane sa pretendohet. Ditët e fundit, një pengesë i doli amerikanëve, pasi senatori Rand Paul bllokoi kalimin e një ligji, i cili do t’i jepte Ukrainës një ndihmë prej 40 miliardë dollarësh.

Kjo shumë e madhe vijon ende të jetë e bllokuar, pasi presidenti Biden e ka kaluar në zyrën e tij dhe pret vetëm miratimin e Senatit.

Sipas republikanit Paul, shpenzimi është shumë i madh për këtë çështje, ndaj edhe ai votoi kundër.

Mbetet për t’u parë se si do të vijojë çështja në Senat, ndërsa ukrainasit presin ndihmën nga përtej oqeanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore