Lajme

Selimi: Pavarësisht sjelljes agresive të Serbisë, Kosova arrti që të organizojë zgjedhje


Petrit Selimi

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, ka komentuar procesin zgjedhor që është duke u mbajtur këtë të diele në katër komunat në Veri të Kosovës.

Ai përmes një cicërime në rrjetin social Twitter tha se “Kosova tregoi aftësi për të organizuar zgjedhje në veri – pavarësisht sjelljes agresive nga Serbia”.

“Beogradi arriti të sigurojë me kërcënime bojkot pothuajse total nga serbët vendas”, shkroi ai.

Ndërkaq, Selimi tha se me mbajtjen e këtyre zgjedhjeve do të kemi një problem të ri, “në listën e dialogut” në mes të Kosovës dhe Serbisë.

E, këtë situatë, ish-kryediplomati kosovar e përshkroi si “depresive”.

Ndryshe, nga 45 mijë e 95 qytetarë me të drejtë vote në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, të drejtën e tyre në zgjedhjet e jashtëzakonshme e kanë shfrytëzuar vetëm 1 mijë e 92 veta, apo vetëm 2.42 për qind e votuesve, deri në orën 15:00.

Kështu ka njoftuar zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës, Valmir Elezi, në konferencën për media.

Komuna me daljen më të madhe ka qenë Zubin Potoku, ku nga 6 mijë e 661 qytetarë kanë votuar vetëm 240, apo 3.6 për qind.

Komuna e dytë me dalje më të mirë prej 3.3 për qind ka qenë Mitrovica e Veriut, ku nga 18 mijë e 118 qytetarë me të drejtë vote, kanë votuar 597 veta.

Në Zveçan, nga 6 mijë e 998 qytetarë kanë dalur në zgjedhje vetëm 145, apo 2.07 për qind dhe komuna me daljen më të ulët vazhdon të mbetet ajo e Leposaviqit, me vetëm 110 votues nga 13 mijë e 318 persona me të drejtë vote.

Për shkak të bojkotimit të zgjedhjeve nga Lista Serbe është pritur që të ketë dalje shumë të vogël në zgjedhje, megjithatë ky rezultat ku nuk kalohet as 3 për qind e atyre me të drejtë vote është akoma më i ulët se sa është menduar.

Përtej rezultatit, sa i përket situatës së sigurisë, Elezi tha se gjithçka ka shkuar mirë, derisa konferenca e radhës do të jetë në orën 19:00, atëherë kur mbyllen qendrat e votimit.

Vetëm 2.42% kanë votuar deri në orën 15:00 – dalje jashtëzakonisht e ulët në zgjedhjet e jashtëzakonshme

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore