Lajme

Zgjedhjet në Veri: Pa incidente e pa votues – vetëm 3.47% votuan


Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës (KQZ), Kreshnik Radoiniqi

Vetëm 1567 qytetarë kanë votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore që janë mbajtur këtë të diele, apo përkthyer në përqindje vetëm 3.47 për qind, nga gjithsejë 45 mijë e 95 qytetarë sa kishin të drejtë vote.

Këtë të dhëna i ka bërë të ditura Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës (KQZ), Kreshnik Radoiniqi, në një konferencë për media pasi janë mbyllur qendrat e votimit.

Në komunën e Leposaviqit kanë marrë pjesë 141 votues, apo 1.06 për qind, në Zubin Putok 385 votues, apo 5.78 për qind, në Zveçan 204, apo 2.92 për qind, dhe në komunën e Mitrovicës së Veriut 837 votues, apo 4. 62 për qind.

Procesi i votimit ka filluar nga ora 7:00, dhe ka përfunduar në ora 19:00.

Numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në Mitrovicën e veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok ishte 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi ishin alternative me gjithsej 28 vendvotime.

Të drejtë vote kanë pasur 45 mijë e 95 persona, 18 mijë e 118 të drejtë vote patën në Mitrovicën veriore,  6 mijë e 998 qytetarë në Zveçan, 6 mijë e 661 në Zubin Potok si dhe në Leposaviq të drejtë vote patën 13 mijë e 318 qytetarë.

Si kishte qenë situata deri në orën 15:00?

Ndërsa, deri në orën 15:00, nga 45 mijë e 95 qytetarë me të drejtë vote në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, të drejtën e tyre në zgjedhjet e jashtëzakonshme e kishin shfrytëzuar vetëm 1 mijë e 92 veta, apo vetëm 2.42 për qind e votuesve.

Kështu kishte njoftuar zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës, Valmir Elezi, në një konferencën për media.

Komuna me daljen më të madhe ka qenë deri në ora 15:00 Zubin Potoku, ku nga 6 mijë e 661 qytetarë kanë votuar vetëm 240, apo 3.6 për qind.

Komuna e dytë me dalje më të mirë prej 3.3 për qind kishte qenë Mitrovica e Veriut, ku nga 18 mijë e 118 qytetarë me të drejtë vote, kanë votuar 597 veta.

Në Zveçan, nga 6 mijë e 998 qytetarë kishin dalur në zgjedhje vetëm 145, apo 2.07 për qind dhe komuna me daljen më të ulët vazhdon të mbetet ajo e Leposaviqit, me vetëm 110 votues nga 13 mijë e 318 persona me të drejtë vote.

Për shkak të bojkotimit të zgjedhjeve nga Lista Serbe është pritur që të ketë dalje shumë të vogël në zgjedhje, megjithatë ky rezultat ku nuk kalohet as 3 për qind e atyre me të drejtë vote është akoma më i ulët se sa është menduar.

Valmir Elezi, zedhenes i KQZ-se

Përveç Listës Serbe, zgjedhjet i kanë bojkotuar edhe partitë tjera të serbëve të Kosovës.

E vetmja politikane nga komuniteti serb që ka marrë pjesë në zgjedhje është Sladjana Pantoviç, kandidatja për kryetare të Zveçanit.

Ajo është kandidate e pavarur dhe deri në qendrën e votimit ka shkuar me përcjellje të policisë.

Pjesëmarrës, deri në momentin e fundit, ishte edhe politikani serb, Aleksandër Jabllanoviç, por ai u tërhoq në momentet e fundit.

Partitë shqiptare që kanë kandidat për këto zgjedhje janë Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Iniciativa Qytetare “Mitrovica”.

Nga 1092 qytetarë që kanë shfrytëzuar të drejtën e votës deri në orën 15:00, shumica dërrmuese e tyre kanë qenë nga komuniteti shqiptar që jeton në Veri.

Vuçiç: E them me krenari, vetëm disa serbë kanë marrë pjesë në zgjedhje deri më tani

Zgjedhjet, përveç përkrahësve të Listës Serbe, i kanë bojkotuar edhe kundërshtarë të tyre, si gazetari luajal ndaj shtetit të Kosovës, Branislav Kostiç.

Ai gjithë situatën e sheh si lojë e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Në një prononcim për Radiotelevizionin Dukagjini, tha se “jam mjaftueshëm i vjetër dhe nuk dua të jem pjesë e kësaj loje”.

“Jemi viktima e vendimeve si pasojë e armiqësisë midis kryeministrit tonë Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç”, deklaroi.

Për shkak të numrit tejet të vogël të votuesve legjitimiteti i të zgjedhurve nga këto votime do të vihet në pikëpyetje.

Konjufca i quan zgjedhjet në veri “demokratike dhe të qeta” – fton qytetarët për pjesëmarrje

Si kishte ardhur deri tek këto zgjedhje?

Zgjedhjet për katër kryetarë komunash veriore të Kosovës dhe dy asamble komunale do të duhej të mbaheshin në dhjetor të vitit të kaluar, por ato u shtynë për 23 prill të këtij vit, pas kërkesës së ndërkombëtarëve që të mos vazhdohet tutje me procedura të rregullta, meqë situata në terren nuk e mundësonte.

Nevoja për zgjedhje lindi pasi në mënyrë të organizuar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, tërhoqi kryetarët e komunave, deputetët, ministrat dhe gjithë stafin administrativ nga institucionet e Kosovës.

Largimi nga institucionet u bë si shenjë proteste për disa shkarkime që ndodhën në radhët e policisë, përfshirë komandantin serb të stacionit në veri, meqë ata nuk i përfillen urdhrat e dhëna me vendim qeveritar, për gjobitjen e të gjitha veturave me targa ilegale “KM”.

Më pas, kur qeveria u pajtua ta shtyjë zbatimin e vendimit, Lista Serbe u deklaruar se si kusht për t’u kthyer në institucionet kanë fillimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova është pajtuar që ta themelojë Asociacionin me Marrëveshjen për Rrugën Drejt Normalizimit të Raporteve me Serbinë, por Lista Serbe prapë refuzoi të regjistrohet në Komisionin Qendror Zgjedhor për t’u futur në listë të partive që garojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore