Shqipëria

Sejko te Komisioni i Ekonomisë: Misioni i Bankës së Shqipërisë, stabiliteti i çmimeve


Këtë të mërkurë të 23 shkurtit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka raportuar në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës, ku ka dalluar se misioni i bankës është stabiliteti i çmimeve.

Për propozimin e një mandati të tij të dytë në krye të bankës, ai ka falënderuar Kuvendin dhe, po ashtu, Presidentin Ilir Meta që e dekretoi.

Më tej, Sejko ka treguar të gjithë punën e bërë nga institucioni që drejton në vitet që ka qenë në krye të tij. Pa anashkaluar sfidat.

“Misioni kryesor i Bankës së Shqipërisë është stabiliteti i çmimeve. Politika monetare ka bërë një hov të dukshëm cilësor. Dhe rezultatet e këtij investimi janë të prekshme”, ka dalluar ai.

Sejko ka treguar se banka ka monitoruar në mënyrë korrekte kreditë me probleme, duke i zbritur në nivelin 4.5 për qind.

Për të, po aq i rëndësishëm është edhe fakti se rreziku i kredive është ulur.

“Banka e Shqipërisë ka administruar me sukses konsolidimin e procesit bankar. Ky proces ka synuar dhe arritur jo thjesht reduktimin e Bankave Tregtare, por mbi të gjitha procesi ka arritur futjen në tregun lokal të aktorëve të motivuar”, ka veçuar Sejko.

Megjithatë, ai ka treguar gjithashtu se sektori bankar ka marrë me vete një pjesë të madhe të pasojave të pandemisë.

“Sektori bankar diti të kryente këtë funksion pa cenuar kapitalizmin e saj. Publiku gjen në sistemin bankar një vend të sigurt për ruajtjen e pasurisë së tij”, ka shtuar Sejko.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore